Në letër, ndalimi për importin e mallrave serbe është hequr pjesërisht para nëntë muajsh, si është gjendja në praktikë?

Merdare
Burim: Kosovo Online

Nëntë muaj pas vendimit për heqjen e pjesshme të ndalimit për importin e mallrave nga Serbia, autoritetet kosovare ende mbajnë të mbyllura vendkalimet përmes të cilave më parë arrinin këto mallra në Kosovë, me përjashtim të vendalimit në Merdar. Atje, kamionët presin edhe deri në 24 orë për shkak të kontrolleve. Si justifikim teknik përmendet mungesa e skanerëve që duhet të instalohen në vendkalimet, por arsyeja e vërtetë është politike – „derisa askush nuk na ndëshkon, bëjmë çfarë të duam“, vlerësojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online dhe theksojnë se për këtë situatë dëmtohen bizneset dhe komuniteti serb.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Kolonat e kamionëve në Merdar zgjasin edhe për disa kilometra.

„As përpara, as prapa. Kushte të këqija, flemë në rrugë, presim. Është shumë e vështirë, mallrat presin për dorëzim, askush nuk pyet“, rrëfen Darko, shofer kamioni nga Maqedonia e Veriut, të cilin gazetarët e Kosovo online e takuan në Merdar pas 20 orësh pritjeje.

Koha e pritjes, sipas fjalëve të shoferit Berisha, ndryshon nga dita në ditë. Më së shumti ka pritur 24 orë.

„Nuk jemi fajtorë as ne shoferët, as kompanitë, kjo është çështje e qeverisë. Prej kohësh është dashur të hapen edhe pikat tjera kufitare“, tha ai.

Se do të hapeshin edhe pikat tjera kufitare mendohej që në tetor të vitit të kaluar, por kusht për këtë është pajisja e tyre me skanerë – të cilët ende mungojnë, prandaj gjendja mbetet e pandryshuar.

Skanerët, për blerjen e të cilëve kontribuon edhe Gjermania, do të arrijnë vitin e ardhshëm.

„Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për prodhimin dhe dorëzimin e skanerëve, si dhe zonat e shumta të krizave nëpër botë, dorëzimi idealisht pritet gjatë vitit 2026. Për shkak të kompleksitetit teknik të projektit – pasi skanerët me rreze X për transport mallrash nuk janë produkt i gatshëm, por duhet të montohen – ky proces kërkon kohë dhe vëmendje të veçantë“, deklaruan për Kosovo online nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Sipas mendimit të kryetarit të Aleancës së Biznesit të Kosovës, Agim Shahini, për kalimin e mallrave që vijnë nga Serbia në Kosovë duhet të hapen të gjitha vendkalimet, sepse hapja e tyre nuk rrezikon as ekonominë e Kosovës, as atë të Serbisë, përkundrazi, lehtëson qarkullimin e mallrave, kapitalit dhe njerëzve.

Ai konsideron se hapja vetëm e vendkalimit në Merdar ishte një hap politik që Kosova e ndërmori ndaj Serbisë për shkak të gjithçkaje që kishte ndodhur më herët.

„Skanerët ende janë diku rrugës, kurrë s’po arrijnë. Ata janë të mirë për të gjithë, por nuk duhet që mungesa e skanerëve të jetë arsye për mbylljen e të gjitha pikave kufitare me Serbinë, nga e cila mund të vijë mall jo vetëm nga Serbia, por edhe nga e gjithë bota“, thekson ai.

Në Merdar, siç pohon ai, ka shumë radhë, turma dhe pritje.

"Çdo kamion duhet të presë të paktën 48 orë. Ata shoferë duhet të flenë atje, nuk kanë ambiente për t'u larë dhe kanë shpenzime të mëdha. Kur kamioni ndalet, konsumon karburant dhe nuk është në gjendje të fitojë, por humbet para. Humbja që bëhet nga të dyja palët është disa milionë", thekson.

Sipas Shahinit, për shkak të një vendimi të tillë politik, Kosova është nën presion çdo ditë nga Bashkimi Evropian dhe nga biznesmenët, importuesit, transportuesit... Ai vlerëson se nuk ka kohë që Kosova të kërcënojë Serbinë ose Serbia Kosovën.

"Është koha të ndihmojmë njëri-tjetrin, të hapim kufirin, t'i japim dorën njëri-tjetrit, të pranojmë se nuk mund të jetojmë vetëm dhe se nuk mund të jemi një kundër të gjithëve. As Kosova, as Serbia. Tani është koha për të hapur kufijtë, për të bashkuar ekonominë në të gjithë Ballkanin", tha Shahini për Kosovo online.

Docenti i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, i tha Kosovo online se vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë këmbëngulur në asnjë mënyrë që Prishtina të zhbllokojë kalimet për importin e mallrave serbe.

"Ne shohim se nuk ka sanksion, kështu që politika e qeverisë së Albin Kurtit deri më tani ka qenë: 'për sa kohë që mund ta zbatojmë atë që kemi vendosur të bëjmë pa pasoja serioze, do të vazhdojmë në atë drejtim'. Dhe me këtë, Kosova sigurisht që po shkel rregullat e CEFTA-s. Masa që ka vazhduar për nëntë muaj po shkakton dëme të mëdha jo vetëm për ekonominë, por edhe për njerëzit që janë mësuar me këto produkte, që duan të blejnë, që duan të tregtojnë. Para së gjithash, kjo ndikon në komunitetin serb. Megjithatë, nuk ka dëgjim", thekson Surlliq.

 Siç shton ai, në këtë rast Prishtina ka një "justifikim teknik", pasi skanerët që duhet të mbërrijnë nga Gjermania nuk kanë mbërritur ende, gjë që duhet të kishte ndodhur shumë më shpejt.

"Skanerët duhej të ishin vendosur së pari në vendkalimin të Merdarit në mënyrë që të mos kishim radhë dhe turma që krijohen çdo ditë, dhe pastaj edhe në pikën kufitare të tjera administrative. Por, në thelb, për sa kohë që nuk ka vullnet të mirë nga Prishtina, mendoj se edhe kur të vijnë skanerët, do të mendohet për ndonjë arsye tjetër teknike që nuk do ta ndryshojë atë vendim", vlerëson Surlliq.

Sipas qeverisë gjermane, dërgimi i skanerëve në Kosovë nuk është prioritet për momentin.

"Kjo ekzistonte si një opsion kur Zaracin, si ndërmjetës, ishte gjithashtu i interesuar që skanerët të mbërrinin sa më shpejt të ishte e mundur dhe në këtë mënyrë paraqiti se Gjermania ishte vendimtare në të paktën një segment të normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtines. Pas largimit të tij, kjo u hodh plotësisht në sirtar dhe tani në fakt nuk kemi një person në sistemin gjerman përgjegjës për përshpejtimin dhe zhbllokimin e këtij procesi", tregon Surlliq.

Kosova e mbajti në fuqi ndalimin e plotë të importit të produkteve serbe plot 16 muaj, nga 14 qershori 2023 deri më 7 tetor 2024, dhe arsye për vendosjen e kësaj mase ishte arrestimi i tre policëve kosovarë nga ana e policisë së Serbisë.

Ndryshe, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025 nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 91 milionë eurosh, që është për 49 milionë euro apo 116 për qind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur importi arrinte në 42 milionë euro. Duhet pasur parasysh, megjithatë, se gjatë pesë muajve të parë të vitit 2024 ishte në fuqi ndalesa e importit edhe përmes pikës kufitare në Merdar për produktet e gatshme. Në atë periudhë, në Kosovë mund të hynin vetëm lëndë të para, plehra dhe disa gjysmëprodukte.