Bashkëpunimi si interes i përbashkët: Serbët në Kosovë mes Listës së Studentëve dhe Listës Serbe

Severna Mitrovica - leto
Burim: Kosovo Online

Pas fitores në zgjedhjet parlamentare, përfaqësuesit e Listës së Studentëve kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë politikisht me Listën Serbe, partinë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe udhëheq të dhjetë komunat me shumicë serbe. Për këtë arsye, serbët në Kosovë janë gjendur mes dy zjarreve – pushtetit të ri në Beograd, i cili kërkon shkëputje nga politika e deritanishme dhe rishikimin e saj, dhe Listës Serbe, e cila vazhdon të kontrollojë mekanizmat kryesorë lokalë. Bashkëbiseduesit e Kosovo online paralajmërojnë se, për hir të komunitetit serb, interesave dhe të drejtave të tij, nevojitet të paktën një koordinim teknik.

Shkruan: Ivana Shanjeviq

Jugosllav Gashiq, kandidat i Listës së Studentëve për deputet në Kuvendin e Serbisë, ka deklaruar në ditët pas fitores në zgjedhjet në Serbi se Lista e Studentëve nuk do të ketë asnjë komunikim me Listën Serbe, por ka shpjeguar se, nëse do të ketë nevojë për bisedime, ato do të zhvillohen përmes bashkësisë ndërkombëtare.

“Ne do t’i ndryshojmë absolutisht të gjithë drejtuesit në pozitat udhëheqëse të institucioneve që funksionojnë në kuadër të sistemit të Republikës së Serbisë”, ka dejklaruar ai, duke saktësuar se drejtuesit e rinj të emëruar do të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e Listës Serbe në institucionet lokale për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët.

Lista Serbe ka njoftuar se nuk dëshiron të përfshihet në “polemika të pafrytshme të politikës së përditshme” me përfaqësuesit e Listës së Studentëve, duke qenë e vetëdijshme për përgjegjësinë që, siç thekson, ka ndaj popullit serb në Kosovë e Metohi, si dhe për seriozitetin e momentit në të cilin ndodhet populli serb.

“Megjithatë, për shkak të interesave të qytetarëve tanë, të cilët me shqetësim të arsyeshëm e shohin të ardhmen e tyre, konsiderojmë se është e rëndësishme të përcjellim qartë mesazhin se Lista Serbe nuk do të heqë dorë nga lufta për të drejtat e popullit serb, ruajtjen e institucioneve serbe, të çdo vendi pune, të çdo përfitimi social dhe sigurimin e kushteve për mbijetesën e popullit tonë në këto hapësira”, tuhët në komunikatë.

Shkëputja radikale si qëndrim legjitim

Politologu Ivan Tomiq konsideron se pushteti i ri në Serbi do të bëjë një shkëputje radikale nga modeli politik që ka ekzistuar deri më tani në institucionet serbe në Kosovë dhe se do të përpiqet të krijojë pluralizëm demokratik.

“Ajo që është e qartë në këtë moment është se pushteti i ri dëshiron të bëjë një shkëputje radikale nga modeli politik që ka ekzistuar deri më tani dhe se për këtë ka arsyet e veta të vlefshme. Ajo që gjithashtu është e rëndësishme të theksohet është se është plotësisht legjitime që pushteti i ri dëshiron t’i qaset çështjes së Kosovës dhe Metohisë në një mënyrë tjetër”, ka deklaruar Tomiq për Kosovo online.

Siç shton ai, është legjitime që qeveria e re dëshiron të hapë hapësirë ​​për disa serbë të tjerë në territorin e Kosovës, por duhet të tregohet kujdes kur flitet për shkarkimin e të gjithë menaxherëve të mëparshëm, sepse siç pohon ai, shumë prej tyre i menaxhuan institucionet në një mënyrë të vlefshme.

"Duhet të shmangim kurthin e një situate ku marrim vetëm urdhra nga Beogradi se kush duhet të zëvendësohet, kush duhet të emërohet, sepse atëherë do të jemi përsëri në një pozicion ku kemi vetëm një ndryshim të aktorit politik dhe nuk kemi një filozofi të ndryshuar të menaxhimit politik të jetës së serbëve në këto zona. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është që njerëzit të mos i ndiejnë këto pasoja, që ata të mund të funksionojnë normalisht dhe të vazhdojnë të jetojnë dhe të mbijetojnë në këto rrethana në të cilat po funksionojmë aktualisht", tha politologu.

Koordinimi i punës për interesat e komunitetit serb

Drejtori i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane nga Beogradi, Millosh Pavkoviq, ka deklaruar për Kosovo online se, nga pikëpamja politiko-ideologjike, e kupton qëndrimin e Listës së Studentëve, e cila nuk dëshiron të bashkëpunojë me Listën Serbe në Kosovë, pasi e konsideron atë “degë të Partisë Përparimtare Serbe”, por thekson se, për hir të interesave kombëtare dhe të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë, nevojitet të paktën një koordinim teknik.

“Për hir të interesave kombëtare dhe, thjesht, interesave dhe të drejtave të serbëve që jetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, mendoj se nevojitet të paktën një nivel koordinimi teknik, nëse jo bashkëpunim në kuptimin e plotë të fjalës, mes qeverisë së ardhshme në Beograd dhe komunitetit serb. Në fund të fundit, deputetët në Kuvendin e Kosovës janë zgjedhur, pak a shumë në mënyrë legjitime dhe demokratike, për të qenë përfaqësues të komunitetit serb dhe, si të tillë, pushteti i ri në Beograd do të duhet të vendosë një marrëdhënie pune ose kontakt pune me ta”, parashikon Pavkoviq.

Me të pajtohet edhe drejtori i programeve i organizatës joqeveritare Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike, Aleksandar Rapajiq, i cili thekson se pushteti i ri në Beograd dhe Lista Serbe, pavarësisht antagonizmave të ndërsjella, duhet t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të vendosin bashkëpunim në interes të popullit serb në Kosovë, i cili tashmë ka mjaft probleme.

“Në këtë moment kemi pushtete të ndryshme në Kosovë dhe në Beograd. Shohim se ekziston antagonizëm mes këtyre dy rrymave politike, por mendoj se, për hir të popullit serb në Kosovë, i cili duhet të jetë qëllimi i tyre i përbashkët, ato duhet të bashkëpunojnë dhe ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Edhe pse rryma politike së cilës i përket Lista Serbe i ka humbur zgjedhjet në Serbi, në Kosovë kjo listë ka ulëse deputetësh në Kuvend dhe të dhjetë kryetarët e komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Rapajiq për Kosovo online.

Dialogu me Prishtinën nën hijen e antagonizmave

Bashkëbiseduesit e Kosovo online pajtohen se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është jofunksional dhe se antagonizmat mes Listës së Studentëve dhe Listës Serbe nuk mund të ndikojnë në këtë proces, por mund të krijojnë probleme të reja për komunitetin serb.

“Mendoj se dialogu është mjaft jofunksional dhe se aktualisht mund të themi se madje është i vdekur. Pra, a mund ta dobësojë pozitën diçka që nuk funksionon? Nuk mund ta dobësojë as pozitën. Problemi qëndron në faktin se kjo mund të krijojë probleme shtesë për komunitetin serb që jeton në Kosovë. Nuk na duhen tani ndarje dhe probleme të reja. Kemi më se mjaft probleme që vijnë nga pala tjetër. Mendoj se duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të luftojmë kundër këtyre problemeve, e jo të ndahemi mes vete dhe të krijojmë probleme të reja”, ka përfunduar Rapajiq.

Tomiq nuk pret që përfaqësuesit e pushtetit të ri në Beograd dhe të Listës Serbe të kenë qëndrime të kundërta në dialogun me Prishtinën.

“Lista Serbe nuk mund të dalë dhe të thotë se problemi më i madh i serbëve është fakti që ka rënë borë në Malet e Sharrit, pasi dihet se cilat janë problemet e serbëve dhe do të duhet të ekzistojë një shkallë e caktuar sinergjie e interesave tona kombëtare. Pikërisht një komunikim i tillë do të ekzistojë mes përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Listës Serbe, përkatësisht në terren, mes njerëzve që drejtojnë institucionet serbe dhe atyre që aktualisht janë pjesë e sistemit të Kosovës”, ka deklaruar Tomiq.

Pavkoviq përsërit se dialogu me Prishtinën nuk ekziston, pasi prej vitesh nuk po zhvillohen takime mes dy palëve në nivel politik, prandaj konsideron se mungesa e bashkëpunimit mes pushtetit të ri në Beograd dhe Listës Serbe nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në këtë proces, as pozitiv dhe as negativ.