Nga bllokada e Kuvendit të Kosovës te protestat: A mundet opozita t’i mobilizojë qytetarët e pakënaqur?

protest DPK ispred Vlade Kosova
Burim: Kosovo Online

Ndërsa ngërçi politik në Prishtinë po thellohet, opozita po e përmend presionin jashtëparlamentar si të vetmin mekanizëm të mbetur. Megjithatë, ende nuk ka një thirrje zyrtare për protesta. Sipas bashkëbiseduesve të Kosovo online, partitë opozitare në Kosovë po hezitojnë t’i ftojnë qytetarët në protesta, sepse nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm mobilizues. Një pjesëmarrje e ulët do ta margjinalizonte më tej këtë çështje dhe do t’i jepte një shtysë politike udhëheqësit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit.

Shkruan: Millena Milladinoviq

Pasi Kurti nuk propozoi një emër për kryetar të Kuvendit të Kosovës, seanca konstituive u ndërpre. Partitë opozitare i bënë thirrje kryesuesit Avni Dehari që ta thërrasë seancën, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Ndërsa ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po zhvillohen bisedime për presidentin e Kosovës, dy partitë e tjera opozitare – PDK-ja dhe Aleanca – paralajmërojnë protesta.

Anëtari i Aleancës, Daut Haradinaj, deklaroi se, nëse kjo situatë vazhdon, opozita mund t’u drejtohet protestave dhe bllokadave, ndërsa anëtarët e PDK-së, tashmë për të pestën ditë para dyerve të Qeverisë së Kosovës, po e shprehin përmes protestës pakënaqësinë e tyre për shkak të ngërçit politik.

Megjithatë, ka munguar një thirrje zyrtare drejtuar qytetarëve për të dalë në protesta, ndërsa shtrohet pyetja nëse opozita në Kosovë e ka fuqinë për ta nxjerrë vërtet popullin në rrugë.

Bashkëbiseduesit e Kosovo online pajtohen se opozita nuk ka kapacitet të mjaftueshëm mobilizues, por edhe se do të tregohet e kujdesshme për t’i ftuar qytetarët në protesta, sepse një pjesëmarrje e ulët do ta margjinalizonte çështjen e bllokadës institucionale.

Bllokada është tepër abstrakte

Drejtoresha ekzekutive e Iniciativës së Re Sociale, Millica Andriq Rakiq, konsideron se partitë opozitare në Kosovë nuk do t’u bëjnë thirrje qytetarëve për protesta, ndonëse e kanë paralajmëruar një gjë të tillë, sepse janë të vetëdijshme se thirrjes nuk do t’i përgjigjej një numër i madh njerëzish.

Andriq Rakiq deklaroi se qytetarët shqetësohen nga fakti që institucionet janë në bllokadë, por se për këtë nuk do ta fajësojnë vetëm Vetëvendosjen.

„Supozoj se edhe vlerësimi i tyre është se, në këtë moment, nuk mund të mblidhet një numër më i madh njerëzish në protestë. Deri diku, këtë problem e kishte edhe Vetëvendosja. Kur në vitin 2015 filluan protestat kundër korrupsionit, mblodhën nga 2.000 deri në 3.000 njerëz. Vetëm kur në këtë ndërthurje protestash kundër korrupsionit shtuan edhe Asociacionin e komunave serbe, protestat u bënë më masive. Ndërsa kjo opozitë nuk mund të ngrejë asnjë çështje serbe, siç mundi ta bënte atëherë Vetëvendosja. Bllokada e institucioneve është tepër abstrakte që qytetarët të shqetësohen për këtë. Prandaj vlerësoj se opozita e thotë këtë sepse mendon se duhet të bëjë thirrje për protesta, por, nga ana tjetër, nuk guxon ta bëjë këtë, pasi ndoshta edhe ata vlerësojnë se nuk do të kishte shumë njerëz dhe se në këtë mënyrë çështja do të banalizohej. Nuk është se njerëzit nuk shqetësohen që ekziston bllokada e institucioneve, por nuk do ta fajësojnë domosdoshmërisht vetëm Vetëvendosjen për këtë dhe nuk do të dalin medoemos në protestë pikërisht për këtë arsye“, tha Andriq Rakiq për Kosovo online.

Andriq Rakiq thekson se edhe sikur të zhvilloheshin protesta, kjo nuk do të ndikonte shumë tek lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti.

„Sa i përket Kurtit, nuk pres që ai të tërhiqet. Edhe sikur të kishte presion më të madh publik dhe protesta serioze, nuk besoj se ai do ta ndryshonte drejtimin. Ndoshta do ta shihte këtë nga këndvështrimi se e di që shoqëria kosovare është e polarizuar dhe se, sa njerëz qëndrojnë në rrugë kundër bllokadës institucionale, po aq qëndrojnë në shtëpi në mbështetje të saj. Prandaj nuk besoj se kjo do të ndikonte tek ai“, tha Andriq Rakiq.

Ajo konsideron gjithashtu se një pengesë e pjesshme për një protestë më masive është fakti se partitë opozitare nuk bashkëpunojnë ndërmjet tyre.

„Sigurisht, nëse do të bashkoheshin dhe do të bënin thirrje për protestë, do të kishin efekt më të madh. Mirëpo, në përgjithësi, prej kohësh në rajon nuk mbizotëron një atmosferë e tillë që aktorët politikë të mund të mbledhin shumë njerëz në protesta. Kur protestat bëhen masive, kjo ndodh kryesisht sepse për to bëjnë thirrje disa faktorë jopartiakë. Pra, po jetojmë në një kohë kur aktorët politikë mund të motivojnë një numër shumë modest njerëzish që të dalin në zgjedhje dhe ky është dukshëm një problem rajonal, ose jo medoemos problem, por është problem për opozitën në kuptimin që ajo nuk e ka më atë kapacitet mobilizues që dikur ekzistonte mes partive opozitare“, porositi Andriq Rakiq.

Zgjidhja në duart e klasës politike

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, deklaroi se opozita nuk ka fuqi ta nxjerrë popullin në rrugë dhe të organizojë protesta për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë, duke marrë parasysh numrin e votave që tri partitë opozitare – PDK, LDK dhe Aleanca fituan në zgjedhjet e fundit.

Baraliu tha për Kosovo online se protestat janë mënyrë demokratike e shprehjes së vullnetit, por se në këtë moment duhet të ketë besim dhe vullnet të mirë ndërmjet partive.

„Protestat janë mënyrë demokratike e shprehjes së vullnetit, përkatësisht të kërkesave të qytetarëve, dhe këtu nuk ka asgjë të diskutueshme. Megjithatë, para së gjithash, duhet të ketë vullnet të mirë dhe besim ndërmjet partive politike që të arrijnë marrëveshje, të gjejnë një mënyrë, modalitet, alternativë apo variant për t’u marrë vesh lidhur me zgjedhjen e kryetarit. Meqenëse kjo mungon, presim që të mbizotërojnë vullneti i mirë dhe arsyeja e partive politike, të cilat, siç duket, kujdesen më shumë për interesat politike, ndoshta edhe për synimet makiaveliste në politikë, sesa për formimin e institucioneve, që përndryshe është detyra dhe obligimi themelor i secilit prej 120 deputetëve dhe i çdo partie politike“, tha Baraliu.

Siç shtoi ai, Kosovës i nevojitet emancipim politik dhe demokratik, në mënyrë që të ecë përpara në zgjidhjen e problemeve.

„Populli është zhgënjyer, nuk e priste këtë. Ai i dha besimin secilit opsion politik në përqindjen përkatëse. Duhet të merren vesh, të ketë vullnet të mirë dhe emancipim politik e demokratik në nivelin e duhur, në mënyrë që institucionet të konstituohen dhe gjithçka të jetë funksionale, për të vazhduar më tej. Ka shumë çështje që duhet të zgjidhen në planin e brendshëm, përfshirë problemet ekonomike dhe sociale të qytetarëve, por edhe në planin ndërkombëtar. Kosova ka shumë punë për të bërë dhe duhet të jetë në nivelin e duhur. Ndërsa mendoj se kjo klasë politike nuk ka dëshmuar se është në një nivel të caktuar“, deklaroi Baraliu.

Sipas tij, opozita nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga populli për të bërë thirrje për protesta, gjë që u dëshmua edhe në zgjedhje.

„Mjafton të shikohet përqindja, përkatësisht sa vota kanë marrë ata në zgjedhjet e fundit. Dhe jo vetëm në zgjedhjet e fundit. Nga trupi elektoral prej dy milionë qytetarësh, në zgjedhjet e fundit dolën vetëm 37 për qind. Nga këta, 50 për qind i fitoi Vetëvendosja me koalicionin e saj. Opozita mori më pak se gjysmën. Ky është çelësi për përcaktimin dhe orientimin e opozitës – nëse e kanë fuqinë dhe forcën mobilizuese për t’i nxjerrë masat në protesta. Unë mendoj se nuk e kanë“, tha Baraliu.

Baraliu theksoi se qytetari ka të drejtë ta zgjedhë opsionin e tij demokratik, por se protestat nuk do të çonin në zgjidhje. Sipas tij, zgjidhja është në duart e partive politike.

„Zgjidhja do të ishte – dhe ajo është në duart e klasës politike – që të arrihet një marrëveshje për kryetarin. Meqenëse PDK-ja dhe Aleanca, në njëfarë mënyre, janë vetëpërjashtuar, mbetet vetëm një alternativë: që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe fituesja e zgjedhjeve, Vetëvendosja, të arrijnë marrëveshje. Kjo nuk është e vështirë dhe mund të arrihet brenda disa orësh, ndoshta edhe brenda disa minutash. Por duhet të ketë vullnet të mirë dhe angazhim në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve që çdo subjekt politik ka ndaj votuesve të vet, përkatësisht ndaj trupit elektoral“, tha Baraliu.

Opozita e kujdesshme

Drejtori i Strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane, Millosh Pavkoviq, konsideron se partitë politike opozitare në Kosovë do të jenë shumë të kujdesshme për t’u bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë, pasi ekziston mundësia që protestat të dështojnë për disa arsye.

Pavkoviq tha për Kosovo online se në radhët e opozitës ekziston revoltë për shkak të veprimeve të liderit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti, si dhe për shkak të bllokadës institucionale, por shtrohet pyetja se sa e suksesshme do të ishte thirrja e tyre për protestë.

„Gjatë ditëve të fundit, deputetët e partive opozitare u përpoqën të hynin në Kuvend, por nuk ia dolën. Më pas, përmes disa performancave, u përpoqën të hynin në Parlament, të mbanin fjalim para sallës së zbrazët e kështu me radhë. Është e qartë se në radhët e opozitës ekziston një lloj revolte për shkak të asaj që po bën Kurti dhe ndoshta edhe ata po mendojnë për organizimin e protestave, përmes të cilave do të përpiqeshin të dërgonin mesazhin se ajo që po bën Kurti përbën shkelje të Kushtetutës dhe se i kanë qytetarët në anën e tyre. Megjithatë, shtrohet pyetja se sa të suksesshme do të ishin këto protesta, përkatësisht sa qytetarë do të mblidhnin. Është dëshmuar se partitë opozitare, në fakt, nuk kanë kapacitet të organizojnë ndonjë protestë të madhe kundër Kurtit. Nga ana tjetër, është verë dhe sezoni i pushimeve, kështu që shtrohet pyetja se sa njerëz ndodhen aktualisht në Kosovë, dhe është dëshmuar se qytetarët janë të pakënaqur si me pushtetin, ashtu edhe me opozitën“, tha Pavkoviq.

Sipas tij, thirrja për protesta do të ishte një lëvizje shumë e rrezikshme e opozitës.

„Në zgjedhje askush nuk arriti rezultat të favorshëm, kështu që përpjekja për organizimin e protestave qytetare do të ishte një lëvizje shumë e rrezikshme për opozitën. Nëse nuk do të arrinin të mblidhnin një numër të konsiderueshëm qytetarësh, kjo në fakt vetëm do t’i jepte shtysë Kurtit dhe potencialisht mund të ishte e dëmshme edhe në zgjedhjet e reja parlamentare, pasi do të ndikonte në perceptimin e opozitës si të paaftë dhe jo në lartësinë e detyrës“, tha bashkëbiseduesi ynë.

Siç deklaroi ai, është e qartë se ndërmjet partive opozitare në Kosovë nuk ekziston një gjuhë e përbashkët.

„Megjithatë, nuk ekziston as potenciali në kuptimin që ato të kenë një numër të konsiderueshëm mandatesh dhe të mund ta formojnë së bashku qeverinë, në mënyrë që të zhvilloheshin negociata ndërmjet tyre. Duke pasur parasysh situatën, opozita, edhe sikur të bashkohej, nuk ka mandate të mjaftueshme për ta formuar qeverinë dhe ndërmjet partive opozitare nuk po zhvillohen negociata. Madje shohim se po zhvillohen bisedime ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për një qeveri të mundshme të ardhshme. Rrjedhimisht, Aleanca dhe PDK nuk kanë potencial për të bërë diçka më shumë“, deklaroi Pavkoviq.