Rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin gjyqësor të Kosovës: Pse Haxhiu po këmbëngul pikërisht tani për miratimin e dorëheqjeve të tyre?

Ročište u Osnovnom sudu u Severnoj Mitrovici
Burim: Kosovo Online

Ekzistojnë shumë pengesa në rrugën e riintegrimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativ serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, vlerësojnë bashkëbiseduesit e Kosovo Online, duke paralajmëruar se kërkesa e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila i ka kërkuar Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të përfundojnë me urgjencë procedurën lidhur me dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, përbën ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në punën e këtyre dy institucioneve.

Shkruan: Velko Nestoroviq

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë paraqitën dorëheqjet e tyre më 7 nentor 2022, njësoj si edhe personeli administrativ i Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut.

Dorëheqjet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe deputetëve pasuan një ditë pasi zyrtarët policorë të nacionalitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqje nga detyra.

Tani kjo çështje është rikthyer në vëmendje nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Politologu Ognjen Gogiq, duke komentuar kërkesën e përmendur, vlerësoi se pushteti ekzekutiv i Kosovës nuk duhet të ndërhyjë në punën e këtyre dy institucioneve, pasi një veprim i tillë mund të cenojë autonominë e sistemit gjyqësor.

“Megjithatë, mbetet pyetja pse këto dorëheqje ende nuk janë konstatuar, edhe pse ka kaluar shumë kohë. Kjo shpjegohet me faktin se që nga fillimi, Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor kanë dashur të lënë hapësirë për një marrëveshje të mundshme politike mbi kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në detyrë. Është konsideruar se këto dorëheqje nuk janë dhënë vullnetarisht, por nën presion, prandaj deri më tani nuk janë konstatuar. Në këtë mënyrë është synuar të lihet mundësia që ata të rikthehen në vendet e tyre të punës”, thotë Gogiq për Kosovo Online.

Gogiq thekson se kjo temë është riaktualizuar tani sepse, sipas tij, prapa dyerve të mbyllura dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, po zhvillohen bisedime për riintegrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Nëse Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial do t’i konstatonin përfundimisht dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, kjo nuk do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për komunitetin serb, pasi ata nuk janë duke ushtruar detyrat e tyre prej kohësh, thekson Gogiq.

“Komuniteti serb nuk përfiton nga fakti që ata tashmë prej tre vjetësh e gjysmë janë në dorëheqje. Ajo që do të kishte efekt pozitiv do të ishte rikthimi i tyre në vendet e punës. Rikthimi i tyre në prokurori dhe gjykata do të ishte pozitiv, por askush nuk i pengon ta bëjnë këtë. Gjyqtarët dhe prokurorët mund t’u drejtohen këtyre këshillave dhe t’i tërheqin dorëheqjet. Pyetja është pse nuk e bëjnë këtë. Kjo do të ishte diçka që do të kishte efekt pozitiv për komunitetin serb. Vetëm konstatimi i dorëheqjeve nuk do të kishte asnjë efekt, sepse ata tashmë prej tre vjetësh e gjysmë nuk janë në ato vende pune. Sa i përket dialogut, kjo do të ishte një goditje për procesin. Nëse dorëheqjet do të konstatoheshin, kjo do të nënkuptonte se vetëm njëra palë ka arritur ta pengojë dialogun, përkatësisht marrëveshjet që po zhvillohen prapa dyerve të mbyllura për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo do të ishte një goditje e madhe për përpjekjet e Bashkimit Evropian për normalizimin e sistemit gjyqësor”, tha Gogiq.

Avokati dhe ish-prokurori ushtarak Dragan Pashiq deklaron se ka shumë pengesa në rrugën e riintegrimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Pashiq kujton se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, si dhe ndryshimet pasuese të vitit 2015, përcaktojnë që mbajtësit e pozicioneve gjyqësore në sistemin gjyqësor të Kosovës duhet të jenë gjithashtu serbë, por ai thekson se është e qartë se kjo nuk respektohet.

"Më pak se katër vjet më parë, ata dhanë dorëheqjen nga funksionet e tyre gjyqësore. Pozicionet e tyre janë ende të lira, ky numër nuk është plotësuar dhe, nëse do ta respektonim në mënyrë strikte ligjore, është në kompetencën e këtyre dy organeve gjyqësore. Megjithatë, kjo çështje po ngrihet përsëri tani, sepse është e qartë se autoritetet e Kosovës nuk duan përfaqësues të komunitetit serb në institucionet gjyqësore. Nëse do të donin, do të siguronin kushte për punën e tyre, kryesisht të natyrës teknike, që nënkupton një përkthim në gjuhën serbe, në mënyrë që anëtarët e komunitetit serb të kenë të njëjtat të drejta si të gjithë qytetarët e Kosovës", thotë Pashiq për Kosovo online.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC), Dushan Radakoviq, tha për Kosovo online se fakti është se nëse nuk do të kishte zgjedhje më 7 qershor, gjyqtarët dhe prokurorët serbë mund të ishin kthyer tashmë në fund të qershorit.

Ai deklaron se një perspektivë është pozitive - "të fillohet zgjidhja e problemeve dhe të kthehen njerëzit".

"Është e sigurt se pa Brukselin, domethënë një dialog serioz politik përmes Brukselit, nëse formohet një qeveri në Kosovë, është e vështirë të kthehet në tryezën e negociatave. Përmes Brukselit, me negociatorët më të mëdhenj politikë, dhe nëse Beogradi fton njerëz, është e vështirë të ketë një kthim serioz, sigurisht, nëse institucionet e pranojnë atë. Por kam frikë se ky është më shumë një moment politik që përdoret në një fushatë politike dhe mund të përfaqësojë një fokus të ndryshëm vëmendjeje krahasuar me ato që do të jenë marrëveshje politike në lidhje me formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit. Të flasim për tema të tjera, dhe më pak për çështjen thelbësore që po zgjidhet", thotë Radakoviq.

Radakoviq paralajmëron se, nëse pranohen dorëheqjet e serbëve që u larguan nga institucionet, do të ishte një vendim katastrofik, veçanërisht nga gjyqësori, në tetë vitet e ardhshme nuk do të ketë praktikisht asnjë mundësi për të rivendosur besimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

"Unë kam thën - ligji është i njëjtë për të gjithë. Pavarësisht nëse gjyqtari është serb, Dushani, Bekimi apo ndonjë kombësi tjetër, ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Pavarësisht nëse një gjyqtar e interpreton ligjin në mënyrën e gabuar, nëse ka politizim, të gjitha ekzistojnë sot. Por, nga ana tjetër, nëse dorëheqjet pranohen pas tre vjetësh e gjysmë, kam frikë se do të gjendemi në një situatë katastrofike, se kjo do të ulë më tej besimin në institucione, do të çojë në emigracion, dhe pas kësaj unë vërtet nuk e shoh mundësinë që njerëzit... Ndoshta një numër i caktuar policësh do të kthehen në polici ose mund të arrihet ndonjë përparim kur bëhet fjalë për vetëqeverisjen lokale, por pa një kthim në institucionet kryesore do të jetë shumë e vështirë të rivendoset besimi", thotë Radakoviq.