Ceko: Nëse nuk i besojmë njëri-tjetrit, vështirë se mund të shkojmë së bashku drejt Evropës
Drejtuesi i Departamentit të Administrimit të Biznesit dhe Teknologjisë së Informacionit në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë, Enriko Ceko, vlerësoi se rritja ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të përshpejtohet me 10 deri në 15 për qind nëse Bashkimi Evropian redukton barrierat tregtare dhe jotregtare.
„Nëse i referohemi deklaratës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili ka thënë konkretisht se, nëse reduktohen barrierat tregtare dhe jotregtare, atëherë është e mundur që rritja ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet me 10 deri në 15 për qind, falë ndikimit të heqjes së këtyre barrierave nga Bashkimi Evropian“, tha Ceko për Kosovo online.
Sipas tij, heqja e barrierave jotregtare do të ndihmojë në masë të madhe në rritjen e PBB-së, pasi do të rritet niveli i tregtisë dhe produktiviteti, duke qenë se vendet e rajonit do të prodhojnë më shumë.
„Me rritjen e produktivitetit do të rritet PBB kombëtare, por edhe PBB e të gjitha vendeve së bashku. Po flasim për vende që kanë gjithsej 17 deri në 18 milionë banorë. Në tërësi, kjo është një hapësirë e konsoliduar dhe e qëndrueshme territoriale, politike dhe ekonomike, me shumë burime natyrore me vlerë për Bashkimin Evropian“, tha Ceko.
Ai vlerësoi se, nëse eliminohen barrierat tregtare dhe jotregtare, do të mbetet edhe një problem tjetër, përkatësisht sa e aftë është Evropa të pranojë mallra nga ky rajon dhe nëse është e gatshme të financojë projekte infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor.
„Do të mbetet edhe një problem tjetër. Sa është Evropa e aftë të pranojë produkte dhe shërbime nga rajoni, duke qenë se Ballkani Perëndimor do ta rrisë nivelin e tregtisë? Sa është Evropa e gatshme të financojë projekte infrastrukturore, për hekurudhat, rrugët, sistemet e telekomunikacionit, digjitalizimin dhe rrjetet teknologjike pa tela? Pra, sa është BE e gatshme t'i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse bëhet fjalë për një zinxhir furnizimi për të cilin nevojiten këto investime, ndërsa vendet e rajonit nuk kanë mjete për t'i realizuar ato nga buxhetet shtetërore“, tha Ceko.
Ai vuri në dukje paradoksin se vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat dëshirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian, ende nuk janë integruar mes tyre dhe theksoi se duhet të rrisin investimet shoqërore dhe politike për të forcuar besimin e ndërsjellë.
„Nëse shikojmë vëllimin e tregtisë së Ballkanit Perëndimor me vendet e tjera, 50 deri në 60 për qind e saj zhvillohet me vendet e Bashkimit Evropian. Më saktësisht, në vitin 2025, 54 për qind e tregtisë së përgjithshme të rajonit ishte me BE, ndërsa vëllimi i tregtisë ndërmjet vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor është vetëm 12 për qind. Pra, këtu ekziston një paradoks: këto vende dëshirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian, por ende nuk janë integruar me njëri-tjetrin në aspektin ekonomik, tregtar apo të investimeve. Ajo që na mungon neve, si vende të rajonit, është besimi i ndërsjellë. Duhet të rrisim investimet shoqërore dhe politike për të forcuar besimin te njëri-tjetri. Nëse nuk i besojmë njëri-tjetrit, atëherë e shumë e vështirë që gjithë bashku shkojmë drejt Evropës“, tha Ceko.
komentet