Gërxhaliu: Kosova mbetet pa fuqi punëtore, pritet eksod prej 1 janarit

Safet Grdžaljiu
Burim: Kosovo Online

Kosova në vitet e fundit është “e varurr nga importi" i punonjësve që vijnë nga Turqia, Bangladeshi, Pakistani, India dhe vende të tjera, pasi krahu vendas i punës shkon jashtë vendit, ndërsa ky problem pritet të eskalojë pas 1 januarit me zbatimin e liberalizimit të regjimit të vizave me vendet e BE, paralajmëron eksperti ekonomik Safet Gërxhaliu.

Siç shprehet ky i fundit për Kosovo onlajn, prej Kosovës më shumë largohen të rinj dhe këtu jo vetëm ata që janë të papunë apo në situatë të rënduar ekonomike, por dhe të shkolluarit çka sektori privat ngelet pa krahë pune.

"Ajo çka është gjëja më e rëndë, është se përveç faktit që ishim vend importues i varur nga produkte dhe shërbime të ndryshme, tani jemi të varur nga importi i fuqisë punëtore. Kryesisht, sipas disa të dhënave jozyrtare, kemi punonjës nga Turqia, Bangladeshi, Pakistani dhe India. Nëse ky trend vazhdon, numri i tyre do të rritet çdo vit. Duke pasur parasysh që nga janari do të kemi liberalizimin e vizave, kam frikë se në një afat të shkurtër do të kemi eksod të madh, sepse një numër i madh i të rinjve do të përpiqen të shkojnë në perëndim dhe të gjejnë punë” thotë Gërxhaliu.

Problemi më i madh thekson ai, është se prej Kosovës largohen të rinj pas mbarimit të shkollës së mesme apo fakultetit, e mes tyre më shumë janë ata me profesion mjeku por edhe ekspertë të IT.

"Prej Kosovës largohen jo vetëm ata që janë të papunë dhe raste sociale, por largohen dhe njerëz të shkolluar, largohen madje dhe familje të cilat kanë paga të mira dhe jetë të mirë, pasi i tremben të ardhmes së tyre. Kur bie fjala për sigurinë, shëndetësinë, arsimin, gjithkush kërkon kushte të mira. Ky është ai problem i madh, çka do të ndodhë në të ardhmen me sektorin privat e sidomos, kur bëhet fjalë për planifikimin e zhvillimit ekonomik, si do të arrihet përmes importit të fuqisë punëtore. Apo si do të arrihet zhvillimi ekonomik kur eksportojmë fuqi punëtore cilësore dhe të arsimuar” pyet Gërxhaliu.

Ky i fundit pretendon se njerëzit nga Kosova kryesisht largohen në Gjermani, Austri, Zvicër, por edhe në Slloveni, Itali, Kroaci...

"Europa plakë ka nevojë për forcë të re punëtore, të rinjtë në këtë kontekst, fatkeqsisht, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe gjithçkaje që po ndodh në këto zona, vendet e Ballkanit Perëndimor, janë bërë 'shtete të arratisura' dhe ky është shërbimi më i mirë që mund të bëjmë për zhvillimin e vendeve të BE dhe Evropën”, tha Gërxhaliu.

Pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve se do të ketë largim masiv të punëtorëve, Gërxhaliu pretendon se askush nuk e kuptoi seriozitetin e situatës.

“Në këtë kontekst duhet të mësojmë një gjë, se është shumë më mirë të parandalojmë disa gjëra sesa t'i kurojmë. Nëse do të kishim zhvillim ekonomik në nivel të dëshirueshëm, nëse do të kishim arsimim sipas nevojave të tregut të punës, investimeve të huaja, sigurisht që nuk do të ishim këtu ku jemi. Na pasojnë sfida të mëdha, por shpresoj që të rinjtë të kuptojnë se Europa nuk është më ajo që ishte dikur, se do të shijojnë 'frutin e ndaluar' dhe se do të kthehen këtu ndonjë ditë, pasi perspektiva duhet të ndërtohet aty ku je, jo atje ku dëshiron të jesh" thekson Gërxhaliu.