Shekerinska: NATO nuk do të lejojë vakum sigurie në rajon, vazhdojmë ta mbështesim dialogun
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, tha në një intervistë për Kosovo online se KFOR-i do të mbetet garantues i stabilitetit në Kosovë, por theksoi se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme mbetet politike dhe se NATO vazhdon ta mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Duke folur për të ardhmen e KFOR-it, Shekerinska tha se prania e Misionit po përshtatet gradualisht me situatën e sigurisë në terren, por se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajon.
Shkruan: Jelena Novakov
Duke komentuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, Shekerinska tha se NATO është në dijeni të aktgjykimit, si dhe të faktit se ndaj këtij vendimi mund të parashtrohet ankesë, duke theksuar se KFOR-i mbetet i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij shumëvjeçar të OKB-së dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirë, si dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Duke folur për komunitetin serb, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s tha se KFOR-i ruan një prani të fuqishme dhe të dukshme, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Kur bëhet fjalë për urën kryesore mbi Ibër dhe Manastirin e Deçanit, ajo theksoi se çdo ndryshim në praninë e KFOR-it zbatohet gradualisht, në mënyrë transparente dhe në bazë të vlerësimit të situatës së sigurisë.
Shekerinska theksoi gjithashtu se dekadat e paqes nuk duhet të rrezikohen, duke thënë se stabiliteti afatgjatë varet nga fakti që të gjitha palët të zgjedhin dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. Sipas saj, NATO do të vazhdojë të kontribuojë në stabilitetin në Kosovë dhe në rajon dhe ta mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
NATO ka njoftuar se e pranon aktgjykimin në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë dhe se KFOR-i vazhdon të fokusohet në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë. A përbën ky aktgjykim rrezik për sigurinë, veçanërisht për komunitetet pakicë?
Jam në dijeni të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe konstatoj se ndaj këtij vendimi mund të parashtrohet ankesë. Prandaj, nuk do ta komentoj procedurën. Ajo që mund të them është se përkushtimi ynë për ruajtjen e stabilitetit rajonal është i palëkundur. Ballkanin Perëndimor e shohim si një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Këtë e dëshmojnë aktivitetet tona në mbarë rajonin, e veçanërisht misioni ynë paqeruajtës në Kosovë.
KFOR-i është i pozicionuar në mënyrë adekuate dhe mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij shumëvjeçar të Kombeve të Bashkuara, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. KFOR-i kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes në çdo kohë. Këtë e bën në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre në fushën e sigurisë.
Pritet që KFOR-i ta zvogëlojë numrin e ushtarëve në nivelin para vitit 2023. Cila është e ardhmja e KFOR-it në Kosovë?
Po optimizojmë dislokimin dhe praninë e KFOR-it si rezultat i përmirësimit gradual të situatës së sigurisë në terren. Qëllimi përfundimtar është të sigurojmë që misioni ynë të mbetet i aftë për ta përmbushur mandatin e tij, në përputhje me mjedisin e sigurisë dhe kërkesat operacionale. Prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht që nga viti 1999, në mënyrë që misioni të mbetet i gatshëm për t’iu përgjigjur ndryshimeve në mjedisin e sigurisë.
Procesi i optimizimit do të vazhdojë gradualisht dhe në mënyrë të matur. Ai do të bazohet në kushtet në terren dhe mund të rikthehet plotësisht në nivelin e mëparshëm nëse këtë e kërkojnë zhvillimet që mund të ndikojnë negativisht në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal. Procesi koordinohet me kujdes me të gjithë aktorët relevantë, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Aktorët politikë lokalë gjithashtu përfshihen dhe informohen rregullisht, përfshirë Listën Serbe, përfaqësuesi i së cilës, me kërkesë të saj, më 11 gusht bisedoi me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash. Gjeneralmajor Ulutash mban kontakte të ngushta me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë në institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, ndërsa pres që kjo të vazhdojë edhe nën drejtimin e komandantit të ri të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, i cili pritet të marrë komandën e misionit në mesin e tetorit.
KFOR-i do të mbetet garantues i besueshëm i stabilitetit. Misioni ynë do të vazhdojë të ketë numrin e duhur të pjesëtarëve, pajisjet, trajnimin dhe organizimin e nevojshëm për zbatimin e mandatit të tij shumëvjeçar të OKB-së, si dhe kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të reaguar ndaj skenarëve të ndryshëm të sigurisë.
Dekadat e paqes së arritur me shumë vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon, në fund të fundit, varet nga fakti që të gjitha palët të zgjedhin dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. NATO jep një kontribut të rëndësishëm ushtarak, por rruga drejt paqes afatgjatë është politike. Për këtë arsye, vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve. Jemi në kontakt të ngushtë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sørensen, dhe presim që Beogradi dhe Prishtina të angazhohen dhe të marrin pjesë në dialog në mirëbesim.
Komuniteti serb në Kosovë ka shprehur shqetësim për bartjen e një pjese të përgjegjësive të KFOR-it te Policia e Kosovës. Kohët e fundit, pjesëtarë të Policisë së Kosovës u akuzuan për përdorim të tepruar të forcës ndaj një serbi të moshuar, por ndërkohë janë kthyer në punë. Çfarë masash po ndërmerren për të garantuar sigurinë e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera pakicë?
KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit, prandaj nuk do të komentoj pretendime individuale që janë në kompetencë të institucioneve në Kosovë. Misioni ynë vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.
KFOR-i ruan një prani të fuqishme dhe të dukshme, veçanërisht në veri të Kosovës, në interes të të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb. Gjithashtu, ekipet ndërlidhëse dhe monitoruese të KFOR-it zhvillojnë çdo ditë aktivitete në mbarë Kosovën. Kjo ndihmon që KFOR-i të jetë në pozitë të mirë për t’iu përgjigjur nevojave lokale të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.
Vendimi për tërheqjen e pjesëtarëve të KFOR-it nga ura kryesore mbi Ibër, si dhe nga Manastiri i Deçanit, është ndër shqetësimet kryesore të komunitetit në Mitrovicën e Veriut. Duke pasur parasysh aktgjykimin e fundit në Hagë, si dhe incidentet e tjera, a ekziston mundësia që të shtyhet tërheqja nga ura?
KFOR-i ka filluar kalimin gradual nga prania e përhershme në urën kryesore në Mitrovicë, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Kjo po zbatohet në mënyrë transparente dhe në konsultim me të gjithë aktorët relevantë. Një pjesë e pjesëtarëve të KFOR-it vazhdojnë të jenë të pranishëm në urë, ndërsa njësitë e KFOR-it vazhdojnë patrullimet në zonat përreth.
Kur bëhet fjalë për Manastirin e Deçanit, përkushtimi i KFOR-it për sigurinë e tij dhe të komuniteteve përreth mbetet i palëkundur. Integrimi i Policisë së Kosovës në strukturën e sigurisë së manastirit përbën një proces gradual, të bazuar në kushtet në terren. Ky proces koordinohet me kujdes me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Pjesëtarët e KFOR-it mbeten të pozicionuar në mënyrë adekuate për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë që ndikojnë në manastir dhe komunitetet përreth. Çdo ndryshim i mëtejshëm do të bëhet pas një vlerësimi të hollësishëm dhe do të zbatohet gradualisht dhe në mënyrë transparente, duke respektuar plotësisht rëndësinë fetare dhe kulturore të manastirit.
Në fund, ashtu si edhe në rastin e objekteve të tjera kulturore dhe fetare që sigurohen nga KFOR-i, vendimi për tërheqjen e plotë të pjesëtarëve të KFOR-it nga Manastiri i Deçanit do të merret nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s.
Pjesëtarët e komunitetit serb kanë shprehur shqetësim për sigurinë e tyre, ndërsa shumë prej tyre janë larguar nga Kosova gjatë pesë viteve të fundit. Nga perspektiva e sigurisë, çfarë u rekomandohet pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë?
NATO e mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor që nga vitet nëntëdhjetë. Përkushtimi ynë mbetet i fuqishëm edhe sot. Prania e NATO-s në Kosovë përmes KFOR-it ka dhënë një kontribut vendimtar për paqen dhe stabilitetin ndër vite, duke mundësuar zhvillim të rëndësishëm ekonomik dhe shoqëror.
Për më shumë se dy dekada, KFOR-i ka ruajtur një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Ky nuk është një sukses i vogël dhe këtë e kanë njohur të gjitha komunitetet. Në të njëjtën kohë, jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat e shumta që vazhdojnë të ekzistojnë. Prandaj, dua të përsëris se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë është politike.
Për këtë qëllim, do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi sigurie dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë për stabilitetin në Kosovë dhe në mbarë rajonin.
0 komentet