Fakulteti Filozofik në Mitrovicën e Veriut shënon 66 vite punë, në konferencën shkencore asistonin 284 autorë nga dhjete vende

Severna Mitrovica: Filozofski fakultet obeležio 66 godina rada, na međunarodnoj konferenciji 284 autora iz deset zemalja
Burim: Kosovo Online

Fakulteti Filozofik i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës, shënon 66 vjet egzistencë e me këtë rast u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “Historia, kultura, identiteti 2“, si pjesë e të cilave u nënshkruan Memorandume mes atij institucioni të arsimit të lartë dhe Institutit të Shkencave Historike të Universitetit të Sarajevës Lindore, Fakultetit të Ekonomisë të Bërçkos, Universiteti në Sarajevën Lindore dhe Qendrës për Filozofi të Aplikuar dhe Hulumtime Shoqërore "Milenko Bodin" nga Beogradi.

Dita e Fakultetit të Filozofisë dhe çelja e konferencës shkencore ndërkombëtare nisi me intonimin e himnit "Zoti i Drejtë", dhe u organizuan dhe aktivitete argëtuese-edukative, ndërsa studentëve më të mirë në 10 programe studimi i’u ndanë çmime.

Dekania e institucionit, profesoresha Aleksandra Tmushiq Kostiq tha për Kosovo Onlajn se reagimi i shkencëtarëve dhe hulumtuesve ishte i madh për këtë vit.

"Kjo është me të vërtetë ngjarje e bukur. Kur organizuam këtë konferencë të dytë, nuk mund as t’a imagjinonim se do të përgjigjeshin 284 autorë nga dhjetë vende. Për klimën tonë, është vërtet e rrallë. Mund të them lirshëm se në territorin e Kosovës e Metohisë kurrë nuk është mbajtur tubim i tillë i madh shkencor ndërkombëtar. Ne si fakultet dhe universitet, së bashku me qytetin e Mitrovicës së Kosovës, u përpoqëm për të mirëpritur të ftuarit tanë dhe kolegët e dashur dhe gjatë tre ditëve të jemi bashkarisht jo vetëm në Mitrovicën e Kosovës, por edhe në territorin e Kosovës dhe Metohisë", tha ajo.

Pas tubimit shkencor ndërkombëtar, do të pasohet me publikimin e punimeve nga konferenca dhe sikurse tha Kostiq, duke marrë parasysh numrin e autorëve dhe punimeve të paraqitura, do të jetë koleksion i gjerë e domethënës, i cili do të ketë të paktën pesë vëllime.

"Dëshiroj të falënderoj Zyrën për Kosovë e Metohi, Ministrinë e Shkencës, Zhvillimit Teknologjik dhe Inovacionit të Republikës së Sërbisë, si dhe vetqeverisjen vendore, pra organet e përkohshme të komunave të Mitrovicës së Kosovës, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Pa mbështetjen e tyre, nuk do të mundnim të arrinim atë që kishim menduar fillimisht. Të gjithë u uroj qëndrim të këndshëm dhe shoqëri të mirë, si dhe prej këtej përcjell përshtypje pozitive e emocione të forta. Shpresoj se do takohemi sërish këtu, në Kosovë e Metohi", tha Tmushiq.

Ministri i Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe Arsimit të Lartë i Republikës Sërbe të Bosnjës Dragan Mastilloviq, vuri në dukje se ishte nder dhe kënaqësi e madhe të asistonte në nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim mes institucioneve shkencore të arsimit të lartë të Republikës Sërbe të Bosnjës dhe institucioneve në Mitrovicën e Veriut.

"Mendoj se ky është hap mjaft domethënës në bashkëpunimin e ardhshëm, jo vetëm kur flasim për arsimin e lartë dhe institucionet shkencore, por dhe për lidhjen e popullit sërb në të dy anët e Drinës. Është veçanërisht e rëndësishme këtu në Kosovë e Metohi, ku e dimë se populli sërb është i ekspozuar ndaj presioneve të ndryshme dhe jeton në kushte pothuajse të pamundura. Pyetja është nëse gjen sot në botë shembull të tillë të terrorit që ndërmerret ndaj popullit sërb. Republika Sërbe e Bosnjës e di shumë mirë se çfarë do të thotë të luftosh për shtetin dhe t’a mbrosh atë. Ndaj mendoj se populli i Republikës Sërbe të Bosnjës kupton plotësisht, ndoshta më mirë, sërbët në Kosovë e Metohi", theksoi Mastilloviq.

Si folës plenar në konferencën shkencore, shpreson të kontribuojë jo vetëm në shkencë dhe arsim të lartë, por dhe në lidhjen e popullit sërb në të gjitha rajonet. 

"Besoj se një nga drejtimet e nevojshme të bashkëpunimit tonë të ardhshëm është pikërisht lidhja e të rinjve, studentëve, si dhe të rinjve të moshës së shkollës së mesme, në të gjitha zonat sërbe. Si popull nuk mund të arrijmë nivel të lartë integrimi nëse nuk e njohim njëri-tjetrin. Ndaj mendoj se në periudhën e ardhshme do të punojmë intensivisht për këtë, pra që Sërbia dhe Republika Sërbe e Bosnjës të punojnë për lidhjen e rinisë sonë sesi të njihen më mirë me historinë, kulturën dhe identitetin e popullit sërb në të gjitha fushat", konkludoi ai.

Vlerësoi se është e rëndësishme që nxënësit dhe studentët, përveç vizitave në qytetet europiane, të njihen me vende me rëndësi të veçantë për historinë sërbe, sikurse Çele-kula, Stari Brod dhe Jasenovaci.

Profesori i Fakultetit Filologjik në Beograd, Aleksandar Millanoviq, një nga folësit plenar të këtij viti, tha se tema e konferencës së këtij viti nuk është vetëm identiteti, por dhe identiteti i popullit sërb në Kosovë.

"Tema ime lidhet me gjuhën e rrëfimtarëve të Kosovës e Metohisë në fund të shekullit XIX dhe fillimshekullit XX. Ajo gjuhë dhe ai stil në rrëfimet e rrëfimtarëve tanë është në fakt një lloj reflektimi dhe qëndrimi i tyre jo vetëm ndaj gjuhës së tyre amtare, por në përgjithësi ndaj statusit të sërbëve në Sërbinë e atëhershme nën pushtim dhe në Kosovë e Metohi. Për këtë arsye, mendoj se tema ime përshtatet mjaft mirë në temën globale, sepse sigurisht gjuha është një nga tiparet themelore të identitetit", theksoi ai.

Përveç shumë shkencëtarëve, në aktivitetin e sotëm asistuan dhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut, Millan Radojeviq dhe Millosh Peroviq, kryetari i Organit të Përkohshëm të Mitrovicës së Kosovës Ivan Zaparozhac, anëtari i Listës Sërbe Igor Simiq, si dhe dekanët e fakulteteve të tjera.

Konferenca shkencore ndërkombëtare "Historia, kultura, identiteti 2" do të mbahet në Mitrovicën e Veriut deri më 18 tetor.