Ambasada e SHBA: Mbyllja e institucioneve konfirmon shqetësimin tonë
Mbyllja e institucioneve prej të premtes, konfirmon edhe një herë shqetësimin tonë për lëvizjet e qeverisë teknike që rrisin më tej tensionet dhe sjellin paqëndrueshmëri në Kosovë, tha në përgjigjen e shkruar për Kosovo Onlajn zëdhënësi i Ambasadës së SHBA në Prishtinë.
"Mbyllja e institucioneve të premten konfirmon shqetësimin tonë për veprimet e qeverisë teknike që rrisin tensionet dhe jostabilitetin në Kosovë. Sikurse kemi thënë më herët, siguria dhe stabiliteti janë me rëndësi kyçe për vendin dhe rajonin", thuhet prej ambasadës.
Sikurse shtuan, mbyllja nuk është e mirë për qytetarët që jetojnë në Kosovë.
"Mbyllja e institucioneve vendos në rrezik ofrimin e shërbimeve themelore për qytetarët e Kosovës. Na nevojitet partner që kupton nevojën për të shmangur aktet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për përmirësimin e stabilitetit rajonal dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës."
Zyra e BE në Prishtinë gjithashtu reagoi për të njëjtin rast. Ata vlerësuan se bastisja e policisë kosovare në ambientet e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Republikës (RFZO) dhe Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore (PIO) në Mitrovicën e Veriut, të cilat drejtohen nga Sërbia, përfaqëson një tjetër akt të pakoordinuar nga qeveria kosovare në largim dhe se veprime të tilla ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve të zakonshëm, kryesisht të sërbëve të Kosovës, por edhe të komuniteteve të tjera në Kosovë.
komentet