Baraliu: Qeveria në Kosovë duhet të jetë e hapur për shoqërinë civile
Profesori i së drejtës kushtetuese Mazllum Baraliu tha se autoritetet në Kosovë duhet të jenë të hapura për bashkëpunim me organizatat dhe shoqatat e shoqërisë civile dhe se ky duhet të jetë virtyt në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Duke komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të mos u takuar me përfaqësuesit e Këshillit për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane, Baralliu thotë se është e paqartë pse ka ndodhur kjo, por se është virtyt i çdo qeverie që të dëgjojë dhe miratojë sugjerime nga sektori civil, veçanërisht nga ato shoqata që mbështesin qëllime të caktuara të Kosovës.
“Kurtin duhet pyetur se pse nuk ka ndodhur takimi, a ka qenë i zënë apo ka pasur ndonjë arsye tjetër. Por besoj se bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të cilitdo shtet, përfshirë edhe Kosovën, dhe shoqërisë civile, veçanërisht shoqatave që janë të orientuara drejt mirëqenies së qytetarëve dhe mbështetjes për qëllime pozitive për komunitetin, duhet të jetë i hapur. Ky është bindja ime e patundur”, tha Baraliu.
Baraliu thekson se një nga virtytet kyçe, por edhe detyra e çdo lideri, pavarësisht nivelit - nga pushteti vendor e deri te presidenca dhe qeveria - është kontakti, pranimi i kërkesave dhe zgjidhja e problemeve të shoqërisë, përfshirë problemet e shoqërisë civile dhe modelet organizative të komuniteteve shoqërore.
"Liderët duhet të kontaktojnë dhe të pranojnë kërkesat, të zgjidhin dhe të shikojnë problemet e shoqërisë, natyrisht, duke përfshirë shoqërinë civile dhe modelet organizative të komuniteteve shoqërore, në këtë rast të Kosovës. Kjo do të thotë se ata kanë kërkesa të caktuara që kanë nevojë për vëmendje. Ky është qëndrimi im në parim", përfundoi Baraliu.
Drejtori i Këshillit për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane, Martin Vulaj, pas vizitës së përfaqësuesve të kësaj organizate në rajon ka deklaruar se është i zhgënjyer me faktin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërfillur ftesën e tyre për takim.
0 komentet