Dimitrov: Bashkimi i së djathtës mund të ndikojë në politikën e BE-së ndaj Ukrainës dhe zgjerimit

Đorđe Dimitrov
Burim: Kosovo Online

Gjorgje Dimitrov, hulumtues në Qendrën e Beogradit për Politikë Evropiane, vlerësoi se “Patriotët për Evropën” është bërë një nga tre grupet më të fuqishme në Parlamentin Evropian dhe se, në bashkëpunim me fraksionet e tjera të krahut të djathtë, ata mund të ndikojnë në politikën e migracionit, axhendën e gjelbër, marrëdhëniet me Ukrainën dhe zgjerimin e BE-së.

“Nëse kanë qenë të bashkuar, nëse kanë folur me të njëjtin ton, kanë forcë të madhe në vetë parlamentin. Ata mund të ndikojnë shumë në votim, ata kanë më shumë se dhjetë për qind të të gjitha vendeve në parlament dhe për këtë arsye, sepse ata janë ideologjikisht afër një krahu tjetër radikal siç është ID apo ECR konservatore, ata në këtë mënyrë mund të zbehin politikat liberale, të ndikojnë në politikat në lidhje me migracionin, agjendën e gjelbër dhe vetë qëndrimin ndaj Ukrainës dhe zgjerimit”, thotë Dimitrov për Kosovo online.

Ai shpjegon se koalicioni "Patriotët për Evropën" u krijua sepse shumë parti të së djathtës: nga AFD-ja gjermane, FIDESZ e Orbanit apo partia ANO e Andrej Babishit, nuk ishin të kënaqura brenda krahut liberal apo brenda konservatorëve.

“Ata kanë vendosur që do të kenë dukshëm më shumë ndikim në parlament nëse bashkohen dhe janë vetëm një grup, sesa në mënyrë të pavarur si deputetë të pavarur. Dhe kjo, natyrisht, është në favor të tyre. Sipas vlerësimit aktual, ata do të kenë rreth 84 ulëse, që do t'i vendosin në grupin e tretë apo të katërt më të fuqishëm në Parlamentin Evropian”, sqaron Dimitrov.

Ai thekson se nuk duhet pritur që një e djathtë e bashkuar në Parlamentin Evropian do të mund të ndikojë në çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor apo dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse, thekson ai, ajo politikë është hartuar shumë kohë më parë.

“Politika e Parlamentit Evropian dhe politika e BE-së është hartuar shumë kohë më parë, kështu që nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Këtë mund ta shohim para së gjithash në ndonjë retorikë që mund të jetë më kritike ndaj Kosovës, e cila vjen kryesisht nga ato parti të krahut të djathtë, por nuk duhet të presim që do të ndryshojë ekuilibrin, se disi peshoren do të anojnë në anën tjetër”, thotë Dimitrovi.

Ajo që mund të pritet, vijon ai, është një lloj statusi quo deri në zgjedhjen e zyrtarëve të rinj të BE-së.

“Ajo që mund të presim është që situata të mbetet pak a shumë e pandryshuar, status quo. Tani shumë varet se kush do të formojë komisionin e ardhshëm, kush do të jetë president, a do të jetë Ursula fon der Lejen dhe ai grup i kryesuar nga Kaja Kalas, do të arrijë të marrë shumicën e nevojshme në Parlamentin Europian, për të marrë detyrën. Dhe pas kësaj duhet të shohim se kush do të jetë përfaqësuesi i ardhshëm për dialogun dhe për Ballkanin Perëndimor, i cili do ta zëvendësojë Mirosllav Lajçakun”, përfundon Dimitrov.