Dita e Amerikës në Beograd - Gjuriq: Marrëdhëniet tona karakterizohen nga një lidhje historike; Hill: Do të punojmë për të përparuar marrëdhëniet
Në Parlamentin e Serbisë po mbahet një tubim për të festuar Ditën e Amerikës në Beograd.
Në panelin e posaçëm “Hard Talks”, në hapje të takimit, folën ambasadori i Serbisë në SHBA Marko Gjuriq dhe ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill, të cilët të dy folën shkurt në fillim të konferencës. Gjithashtu, fjalën e hapjes e mbajti gjeneralmajor John Harris, komandant i Gardës Kombëtare të Ohajos.
Ambasadori Gjuriq vlerësoi se marrëdhëniet amerikano-serbe karakterizohen nga një lidhje historike dhe përkujtoi se mes dy vendeve ka bashkëpunim të mirë ekonomik, duke theksuar se nuk ka arsye të pritet gjë tjetër veç forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve.
Gjuriq ka thënë se Serbia në vitet e kaluara ka pasur zhvillim në fushën ekonomike dhe politike, por edhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai shtoi se Serbia është e vendosur që SHBA-të të jenë një nga partnerët kryesorë strategjikë edhe në të ardhmen.
Ambasadori serb theksoi se vizita e gjeneralit Harris dëshmon për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së në fushën e forcave të sigurisë.
Ambasadori Christopher Hill tha se Serbia dhe SHBA-të kanë mundësi të përmirësojnë marrëdhëniet dhe se duhet të punojnë në këtë. Ai shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së janë të respektuara dhe se ato nuk varen nga ajo që po ndodh në vendet tjera.
“Ne duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik”, tha Hill.
Ai përkujtoi se bashkëpunimi mes dy vendeve ka zgjatur 142 vjet dhe theksoi se pret që ai të vazhdojë me sukses edhe për “142 vitet e ardhshme” dhe se do të punohet për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjeneralmajori John Harris theksoi se po bëhen përpjekje të palodhura për të forcuar marrëdhëniet e ndërsjella ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së. Ai theksoi se gjeneratat aktuale përballen me sfida të mëdha dhe barrën që duhet të mbajnë dhe shtoi se është nder të jesh me njerëz që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi, duke theksuar se në mesin e tyre janë edhe presidenti i SHBA-së, presidenti i Serbisë, ambasadorëve, por edhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq të cilin e konsideron mik të tij.
Ai shtoi se i takon të gjithëve që të marrin përgjegjësi dhe të sigurojnë paqen dhe t'i mundësojnë çdo qytetari të përmbushë potencialin e tij të plotë.
Marko Gjuriq, Robert Benjamin, Marija Milosheviq, Richard Grenell, Mihajlo Gjeliq, Adam Sofronjijeviq dhe Jovanka Vishekruna Jankoviq morën çmime për kontributin e tyre në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.
Në një video-mesazh që u transmetua, Grenell deklaroi se do të dëshironte të vinte në Serbi dhe bëri thirrje për forcimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë.
Në takim foli edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Temat e takimit janë lidhjet ekonomike serbo-amerikane, energjia dhe arsimi. Organizatorë të konferencës janë Kongresi i Miqësisë Serbo-Amerikane dhe revista “Diplomacy and commerce”.
komentet