Doherti: Marrëveshjet duhet të zbatohen, duke përfshirë atë për KKS

Leo Doherti
Burim: Blic

Ministri i Britanisë së Madhe për Çështje Evropiane, Leo Doherti, tha për Blic se ky vendi inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura më parë në dialog, e njëra prej tyre ka të bëjë me Komunitetin e Komunave Serbe.

Doherti thekson se Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e BE-së.

"Ne duam të shohim një marrëveshje që është gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht detyruese dhe që kontribuon qartë në stabilitetin rajonal. Më e rëndësishmja, një marrëveshje e tillë duhet të jetë e pranueshme për qytetarët e të dy vendeve, në mënyrë që të sjellë përfitime afatgjata për ta dhe të gjithë rajonin. I përshëndes të gjitha përpjekjet që kontribuojnë për ta bërë këtë", tha Doherti në një intervistë për Blic.

Lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë, Dohorti shtoi se liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të diskutojnë çështje të hapura në tryezë.

"Të gjithë kanë përgjegjësi për të ruajtur stabilitetin e rajonit. Është thelbësore që të gjithë të demonstrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin retorikën nxitëse dhe të bëjnë gjithçka për të qetësuar situatën. Udhëheqësit e të dy vendeve duhet të diskutojnë dallimet në tryezën e bisedimeve - çështje të hapura mund të zgjidhet vetëm përmes angazhimit të përbashkët”, shtoi ai.

Sipas tij, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare kërkon kohë dhe durim dhe kjo nuk ndodh brenda natës.

"Kjo gjithashtu kërkon fleksibilitet, kreativitet dhe një dëshirë të sinqertë për të arritur një zgjidhje. E gjithë kjo duhet të ndodhë në tryezën e bisedimeve. Gjatë dhjetë viteve të procesit të dialogut nën patronazhin e BE-së, ne kemi parë një përparim në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të thjeshtë. Ka pasur edhe probleme, edhe ka ndodhur që shpejtësia e progresit të jetë e ngadaltë. Por është e rëndësishme që të vazhdohet puna për zgjidhjen e problemeve të përditshme me të cilat qytetarët e Serbisë dhe Kosovës përballen. Kjo është diçka që duhet të vazhdohet, paralelisht me fokusin në normalizim – marrëdhënie mes fqinjëve nga e cila përfitojnë të gjithë, përveç atyre që duan të rriten ose të përfitojnë nga ndarjet”, theksoi Doherti.

Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë prej kohësh kanë inkurajuar Serbinë dhe Kosovën që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit.

"Negociatat mund të zgjasin, por vonesat e vazhdueshme dhe të panevojshme nuk i ndihmojnë askujt. Nuk më takon mua të diktoj orarin, por për interesat e njerëzve dhe për të çliruar potencialin e madh të të dy vendeve, unë do të isha i kënaqur nëse arrijmë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Doherti.

Ai shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet, e njëra prej tyre është formimi i KKS-së.

"Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura më parë, të cilat dalin nga procesi i dialogut. Njëra prej tyre ka të bëjë me Komunitetin e Komunave Serbe. Si mund të duket Komuniteti është temë për diskutim mes dy palëve në dialog. Në fund të fundit, bisedimet për Komunitetin duhet të rezultojnë në një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët, përfshirë serbët e Kosovës”, tha ai.

Ai theksoi se nuk duhet të habisë askënd që Britania e mbështet Kosovën.

“Ne mbështesim pavarësinë, si dhe integrimin e tyre ndërkombëtar dhe inkurajojmë partnerët tanë të bëjnë të njëjtën gjë”, shtoi ai.

Doherti theksoi se Britania e Madhe mbështet dialogun dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorët e Quint-it, liderët e Serbisë dhe Kosovës.

"Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një proces nën patronazhin e BE-së, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Mirosllav Lajçak. Britania e Madhe, ashtu si SHBA-të, e mbështesin plotësisht atë proces. Ambasadat tona dhe unë vetë jemi në vazhdimësi në kontakt me partnerët nga Quint-i dhe me liderët e Serbisë dhe Kosovës, në lidhje me çështje të shumta, duke përfshirë dialogun dhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne ofrojmë mbështetje praktike në fusha të ndryshme, si procesi i pajtimit, apo zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur", tha Doherti.

Ndër të tjera, ai theksoi se Britania e Madhe vlerëson që Serbia e mbështeti Ukrainën dhe e dënoi luftën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.