Gjenerali Mojsilloviq me ambasadorin e Qipros: Faleminderit për mbështetjen për integritetin territorial të Serbisë
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, ka biseduar sot me ambasadorin e Qipros në Beograd, Dimitrios Teofillaktu dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen që Qiproja i jep Serbisë në drejtim të ruajtjes së integritetit territorial.
Në takimin e zhvilluar në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, u diskutua për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon dhe perspektivat e zhvillimit të bashkëpunimit dypalësh ushtarako-ushtarak, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Në bisedë u konfirmua përkushtimi për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe Gardës Kombëtare të Qipros, me vlerësimin se bashkëpunimi ushtarako-ushtarak paraqet pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet dy vendeve, të cilat gjatë historisë janë karakterizuar gjithmonë nga afërsia dhe miqësia.
“Me këtë rast, gjenerali Mojsilloviq shprehu mirënjohjen e tij për ambasadorin Teofillaktu për mbështetjen e vendosur që Qiproja i jep vendit tonë në lidhje me ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
0 komentet