Gjuriq: Serbia e meriton një vend të barabartë në BE

Marko Đurić
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi në fund të vizitës së tij në Bruksel dhe pjesëmarrjes në darkën joformale mbi Ballkanin Perëndimor se Serbia pati mundësinë të paraqesë të gjitha potencialet e saj ekonomike dhe reformuese, si dhe gjithçka që është bërë shtesë në dy apo tre muajt e fundit për të përshpejtuar procesin e reformave evropiane dhe forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të shoqërisë.


Gjuriq vlerësoi se takimi i mbrëmshëm është zhvilluar në një atmosferë të mirë dhe moderisht optimiste dhe theksoi se, për shkak të rrethanave të rënda globale, ndjehet një shtytje dhe vrull më i madh për zgjerimin e Bashkimit Evropian, gjë që nënkupton edhe forcimin e tij si projekt.

Ai theksoi se kjo i ofron Serbisë një mundësi të mirë për të realizuar synimet e saj në këtë fushë.

"Ne deshëm të tregojmë gjithçka që Serbia realisht mund t'i sjellë komunitetit evropian", tha Gjuriq, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ai porositi se Serbia e meriton një vend të barabartë dhe trajtim të barabartë me shtetet e mëdha evropiane.

Gjuriq tha se përfaqësuesit e vendeve të ndryshme hapën edhe tema të mëdha gjeopolitike, ndër të cilat situata në Ukrainë ishte një nga dominuese, por edhe se vendet anëtare treguan një vetëdije në rritje për nevojën që Evropa të forcojë kohezionin dhe shkallën e unitetit dhe të përshpejtojë përfshirjen e vendeve të rajonit në kornizat evropiane.

Sipas fjalëve të tij, u vu theksi i veçantë në rëndësinë e forcimit të infrastrukturës, lidhshmërisë dhe bashkëpunimit të mirëfqinjësor në rajon, si dhe krijimin e një perspektive që do të siguronte jo vetëm stabilitet politik, por edhe një të ardhme më afatgjatë për gjeneratat e reja që të qëndrojnë në rajon.