Grenell: Vuçiq duhet të ndjekë rrugën e SHBA-së, jo rrugën evropiane
Ish-i dërguari amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar se Evropa ndodhet në vështirësi, duke vlerësuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të ndjekë rrugën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo rrugën evropiane.
“Evropa është në telashe – ekonomitë tuaja po mbyten nga Brukseli. Inovacioni është pothuajse i vdekur. Kompanitë nuk rriten brenda Evropës. Vuçiq duhet të ndjekë rrugën e SHBA-së – jo rrugën evropiane”, ka shkruar Grenell në rrjetin social “X”, duke komentuar një postim të komisares evropiane Marta Kos, e cila kishte bërë të ditur se më herët gjatë ditës, në Davos, kishte biseduar me Vuçiqin për reformat që i nevojiten Serbisë për të qëndruar fuqishëm në rrugën e saj evropiane dhe për të avancuar me Planin e Rritjes.
Vuçiq, i cili sot po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, ndër të tjera ka zhvilluar një takim edhe me Marta Kos për tema aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
“Në fokus ishin obligimet reformuese, forcimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve, përmirësimi i ambientit për investime, lidhja më e mirë përmes infrastrukturës, si dhe siguria dhe tranzicioni energjetik. Gjithashtu biseduam se si përmes instrumenteve evropiane dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të përshpejtohet konvergjenca ekonomike dhe të hapen mundësi shtesë zhvillimore për ekonominë dhe të rinjtë”, ka shkruar Vuçiq pas takimit në Instagram.
0 komentet