Kongresmeni Svolvel: Një pamje ndryshe e Serbisë falë Vuçiqit dhe Gjuriqit

Erik Svolvel
Burim: Kosovo Online

Kongresmeni amerikan nga Kalifornia EriK Svolvel mori pjesë sot në Uashington në "Pupin Forum", ku foli shumë mirë për Serbinë, presidentin e saj Aleksandar Vuçiq, si dhe shefin e diplomacisë Marko Gjuriq.

Svolvel, duke theksuar se këndvështrimi i tij aktual për Serbinë është thelbësisht i ndryshëm nga ai që kishte në të kaluarën, e ofroi një sërë lëvdatash presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë ndër të tjera se Serbia është sot një vend më i sigurt falë tij.

Kongresmeni ka reflektuar në bisedën e tij me presidentin Vuçiq, duke kujtuar se në atë shkëmbim mendimesh ka theksuar nevojën e menaxhimit të politikës sipas interesave të popullit.

"Unë i thashë që ai duhet ta pozicionojë politikën ashtu siç njerëzit vendosin zemrat dhe këmbët e tyre. Kur largohen nga Serbia, nuk shkojnë në Rusi apo Kinë në një numër të konsiderueshëm, por vijnë në SHBA. Dhe kjo është arsyeja pse kur mendoni se kush ju duhet të jet partneri më i mirë në shekullin e 21-të, ky është vendi në të cilin njerëzit tuaj do të shkonin nëse do të donin të largoheshin nga vendi i tyre”, tha Svolvel.

Ai foli edhe për kontributin që deri vonë ka pasur ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq në procesin e përmirësimit të marrëdhënieve serbo-amerikane.

Svolvel, duke iu drejtuar panelit në të cilin mori pjesë edhe shefi i diplomacisë serbe, theksoi se se ambasador Gjuriq i përkiste pjesës më të talentuar të trupit diplomatik në SHBA.

"Kur vendet dërgojnë ambasadorë në SHBA, ata dërgojnë më të mirën që kanë. Pra, ambasadori Gjuriq ishte ndër më të mirët që bota ka për të ofruar," tha Svolvel.

Kongresmeni theksoi se gjatë qëndrimit në Uashington ka ndërtuar një marrëdhënie të jashtëzakonshme miqësore me shefin e diplomacisë serbe.

“Marko më shpjegoi pse Serbia është e rëndësishme për SHBA-në, dhe ne nuk e humbëm rastin të ndërtojmë një miqësi personale... Ai është përgjegjës për të më treguar se çfarë partneri mund të jetë Serbia në aspektin e sigurisë kombëtare, energjetike, dhe teknologjitë e avancuara," tha Svolvel.

Ai theksoi se duhet menduar globalisht dhe për interesat kombëtare, por edhe ato ekonomike.

Në këtë kontekst, ai theksoi se ka vende si Serbia ku mund të bëhen investime të sigurta.

Duke folur për qëndrimin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë, Svolvel tha se pikëpamjet e tij ndryshuan gjatë punës me Marko Gjuriqin, sepse ai e kuptoi se Serbia ka interesa dhe lidhje në katër anët.

Siç tha ai, ajo është e lidhur me Rusinë gjeografikisht, kulturalisht, fetarisht, energjikisht, me Kinën sepse Kina është ekonomikisht dominuese pothuajse kudo në botë, me BE-në sepse ka aspirata për t'u anëtarësuar dhe me SHBA-në.

Duke vënë në dukje se SHBA-të kanë konkurrencë të fortë, Svolvel thekson se është jashtëzakonisht pozitive që Serbia në çdo votim në OKB në lidhje me Ukrainën i qëndroi SHBA-ve, por edhe që bëri më shumë në mbështetje të Ukrainës, siç është pranimi i refugjatëve.

Ai thekson se kjo është shumë e rëndësishme sepse përkundër marrëdhënieve të tilla me Rusinë, Serbia e ka mbajtur atë qëndrim.

Ai shton se është meritë e presidentit Vuçiq dhe njerëzve si ministri Gjuriq.

Duke folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Svolvel tha se është e rëndësishme që Iniciativa për Ballkanin e Hapur të zgjerohet sepse përveç paqes dhe stabilitetit, kontribuon edhe në zhvillimin ekonomik të të gjitha vendeve.

Ai thekson nevojën për partneritete të forta për stabilitet në rajon.

Svolvel po ashtu ka thënë se për SHBA-në është e rëndësishme që Serbia të jetë në projektin e litiumit me BE-në sepse, siç thekson ai, nuk duan të shohin shfrytëzimin kinez.

"Ne duam që Serbia ta bëjë atë eksploatim," tha Svolvel.