Kurti: BE dhe SHBA janë tepër të shqetësuara për veprimet në veri të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kritikat e komunitetit ndërkombëtar për trajtimin e qeverisë së Kosovës ndaj komunitetit serb janë të ekzagjeruara, dhe se BE-ja dhe SHBA-ja janë shumë të shqetësuara për veprimet në veri të Kosovës.
“Ata janë shumë të shqetësuar. Sa herë që ndërmarrim ndonjë veprim, dëgjohen zëra alarmues për një përshkallëzim të mundshëm, por ja ku jemi - Kosova është më e mirë se kurrë më parë”, tha Kurti në një intervistë për “Bloomberg”.
Kurti tha se veprimet e Prishtinës janë “të nevojshme për të rivendosur ligjin dhe rendin në veriun e ndarë prej kohësh.”.
Siç ka theksuar ai, këta janë “hapa të domosdoshëm drejt vendosjes së kontrollit mbi zonat me shumicë serbe dhe integrimit të tyre të plotë në sistemin ligjor dhe financiar të Kosovës”.
“Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv”, tha ai.
Lidhur me kërkesën e Serbisë që zgjedhjet në veri të mbahen sa më shpejt, Kurti tha se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje të përgjithshme.
“Në komunat veriore do të votohet vetëm gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vjeshtës së vitit të ardhshëm”, tha Kurti.
Ai ka shtuar se ndikimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kosovë “ka kaluar prej kohësh”.
“Vuçiq dështoi, dhe tani ai dëshiron që ne të paguajmë për dështimin e tij”, tha Kurti.
0 komentet