Kurti: Heqja e barrikadave mund të shkaktojë viktima
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur se Rusia po nxit tensionet mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të zbehjes së luftës në Ukrainë, dhe ka shtuar se është i shqetësuar sepse sipas tij, heqja e barrikadave nuk përjashton viktimat, shkruan Guardian.
Kurti tha se ishte i shqetësuar se situata e tensionuar mund të përshkallëzohej "në favor të presidentit rus Putin, duke pasur parasysh se forcat ruse dhe serbe kanë kryer 104 stërvitje të përbashkëta ushtarake në vitin 2021".
Udhëheqësi kosovar shtoi se është pajtuar me KFOR-in se nevojitet më shumë kohë për të bindur ata që janë në barrikada të tërhiqen, por se nuk mund të lejohen të qëndrojnë më gjatë.
Ai i cilësoi barrikadat si një hap drejt ndarjes së Kosovës.
“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria do të jenë të qëndrueshme. Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se BE dhe SHBA janë dakord që barrikadat duhet të hiqen.
“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë është lidhja e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihet kjo në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri. Mendoj se shqetësimi më i madh i tyre është pikërishtë kjo. Tash Rusia që po çalon në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit, ka interes për përhapje. Rusia ka interes t’i transferojë në Ballkan përpjekjet e tyre luftënxitëse, aty ku e kanë një klient në Beograd”, ka thënë Kurti.
komentet