Marti: Për kërcënimet me të cilat përballem sot, fajësoj autoritetet shqiptare, më sulmojnë sistematikisht

Dik Marti.jpg
Burim: Klan Kosova

Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili prej dy vitesh është nën mbrojtje speciale për shkak të kërcënimeve me vdekje, thotë se është i zhgënjyer me autoritetet zvicerane.

Marti, në një intervistë për të përditshmen e shërbimit publik zviceran RTS, i pyetur se si ndihet, u përgjigj - duke e konsideruar atë që po ndodh në botë, i privilegjuar.

“Sa i përket policisë, ka marrë masa për të më mbrojtur, por unë jam i zhgënjyer dhe nuk i kuptoj metodat e hetimit nga autoritetet zvicerane për rastin tim. Jam hetues prej kohësh dhe nuk dua të jap mësime, por më duket se metodat e aplikuara në rastet e mia nuk janë të zakonshme”, tha Marti, i cili publikoi një raport për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në rrëmbime, vrasje dhe trafik organesh në Kosovë dhe në “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri.

Pas kësaj pasuan kërcënimet, dhe Marti thotë se qëllimi i atyre që e kërcënuan nuk ishte ta vrisnin, “por t’ia vendosnin përgjegjësinë shqiptarëve nga Kosova”.

“Kur autoritetet zvicerane e kishin atë informacion, pse nuk u thanë serbëve se e dinin se çfarë po ndodhte, dhe u kërkuan që të rregullonin gjithçka në shtëpi, me kërcënimin se në të kundërtën do të shpërthejë një skandal. Pastaj qëllimi i vrasjes sime dhe vënia e përgjegjësisë mbi shqiptarët nga Kosova, nuk do të kishte më kuptim”, beson Marti.

Ai theksoi se nuk ka kuptim vetëm të mbrohet shënjestrën, por diçka duhet bërë, prandaj nuk e kupton që hetimi është nisur tetë apo dhjetë muaj pasi ka marrë kërcënimet dhe pas 16 muajsh një delegacion i “FedPol” u dërgua në Beograd.

Ai përsëriti se është i bindur se duhet t'u kishte thënë autoriteteve serbe në mënyrë diskrete, përmes kanaleve diplomatike, se ata e dinin se çfarë ishte planifikuar.

Marti theksoi se në vend të një reagimi të tillë nga Zvicra, ai ka pasur mbrojtje për kaq kohë.

I pyetur nëse ka frikë, apo kishte frikë për veten e tij, ai tha se ishte hetues prej kohësh, që do të thotë se njeriu duhet të ketë iniciativë, të jetë i guximshëm dhe i gatshëm të rrezikojë.

“Kam përshtypjen se tani gjithnjë e më shumë po bëhen e lëvizin letra dhe gjithnjë e më pak njerëz po rrezikojnë”, tha ai.

Marti, përballë akuzave të Tiranës zyrtare, tha se ish-kryeministri i Shqipërisë e quajti Gebls dhe se askush nuk reagoi.

“Një sulm i tillë nuk është vetëm sulm ndaj Dik Martit, por ndaj raportuesit të Këshillit të Evropës dhe politikani shqiptar harron të thotë se nëse Kryeministri i Kosovës duhet të japë dorëheqje për shkak të hetimeve, do të thotë se veprimet hetimore kanë treguar se ka pasur krime lufte”, theksoi Marti.

Ai gjithashtu tha se nuk e shqetëson mbrojtjen, por është e papranueshme që familja e tij të paguajë çmimin për të.

Përndryshe, televizioni zviceran publikoi edhe një dokumentar me rastin e publikimit të librit të Martit “Nën mbrojtje të lartë”.

“Gjithmonë kam menduar se mund të ndodhë një ditë duke pasur parasysh profesionin që bëja dhe rastet që kam trajtuar, por jo se do të merrte përmasa të tilla”, tha Marti.

Një raport i vitit 2011 për krimet e kryera nga UÇK-ja e futi atë në telashe, dhe në dhjetor 2020 ai mësoi nga policia (FedPol) se "anëtarët e nëntokës serbe, të trajnuar dhe të autorizuar nga policia dhe forcat e inteligjencës serbe, duan që ai të vritej dhe për këtë do të fajësonte shqiptarët në Kosovë”.

Autorët e filmit janë takuar me njeriun që ka vënë në dukje këtë kërcënim dhe ai është një person me origjinë çeçene i lindur në Kosovë, i cili në vitet 1990 ka punuar për policinë serbë, e më pas si agjent sekret i policisë evropiane.

Duke qenë se ka punuar edhe në policinë zvicerane, “FedPol” e konsideron burim të besueshëm.

Filmi, falë dokumenteve dhe dëshmive të pabotuara deri më tani, rindërton bisedën e një agjenti sekret, i cili quhet Soni, me një pjesëtar të nëntokës serbe “K”.

Në bisedë “K” ka deklaruar se “është mirë që është arrestuar Hashim Thaçi”, por se nuk është i sigurt se do të dënohet..., dhe se “nëse vritet Marti, të gjithë do ta besojnë se e ka bërë Thaçi, pra gjykata nuk do të mund ta lirojë”.

Edhe pse Soni i sugjeron se “nuk është e lehtë të vrasësh një politikan në Zvicër”, “K” i përgjigjet se është “lojë fëmijësh”, se ai tashmë ka sjellë një armë dhe se “së shpejti do të bëjë atentat”.

Pas marrjes së informacioneve nga Soni, “FedPol” nisi një hetim në të cilin u identifikuan anëtarët e grupeve kriminale me lidhje me xhandarmërinë dhe shërbimet e inteligjencës serbe.

Në film thuhet se të dyshuarit janë nga Nishi dhe se “K” është veteran i policisë serbe.

Autorët kanë tentuar të marrin përgjigje nga autoritetet serbe nëse të dyshuarit janë arrestuar dhe marrë në pyetje.

"Në këtë fazë, është informacion konfidencial dhe për këtë arsye nuk mund t'i ndaj. Unë mohoj çdo përfshirje të shtetit serb dhe mund t'ju jap garancinë më të fortë se asnjë nga institucionet tona, asnjë organ i qeverisë sonë nuk qëndron prapa komplotit për të vrarë Dik Martit. Ai është shumë i respektuar në Serbi”, u përgjigj këshilltari i kryeministrës, Nikolla Stojanoviq, gjatë xhirimeve të dokumentarit.

Në fillim të janarit, autoritetet serbe informuan televizionin zviceran me email se "të gjithë të dyshuarit janë marrë në pyetje dhe madje kanë kaluar një detektor gënjeshtre", se asnjëri prej tyre nuk dinte për ndonjë konspiracion dhe se rezultatet e marrjes në pyetje dhe hetimit i janë përcjellë tek autoriteteve zvicerane.

Megjithatë, televizioni zviceran shton, “FedPol” e mohon këtë: “Nuk kemi marrë të gjitha informacionet për rezultatet e hetimet e tyre”.

Në dokumentar përmendet edhe Karla del Ponte, ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, e cila, siç thuhet, ka hasur në një “arrë të fortë” në lidhje me UÇK-në.

“Kur patëm indikacione konkrete se edhe shqiptarët kanë kryer krime nën UÇK-në, unë nisa një hetim dhe problemet filluan. NATO nuk na ndihmoi, askush nuk na ndihmoi. Pastaj kuptova që politikisht askush nuk i donte ato hetime, sepse Kosova ishte i ndërlikuar, ekzistonte frika se konfliktet do të rifillonin përsëri. Viktimat kanë të drejtën e drejtësisë dhe është detyra jonë ta bëjmë të mundur”, tha ajo në një deklaratë për televizionin zviceran.

Ajo gjithashtu theksoi se ishte përballur me kritika të mëdha, para së gjithash në lidhje me tregtinë organesh.

Marti po ashtu tha se të gjithë e dinin se UÇK-ja kishte kryer krime dhe kryerja e krimeve me “arsye të mirë” nuk e justifikon këtë.

Në dokumentar thuhet se tani urrejtja ndaj Martit ka “lëvizur” në anën tjetër, në Kosovë, gjë që e ka konfirmuar edhe Natasha Kandiq.

Marti thotë se meqë qëllimet janë demaskuar, nuk ka më ambicie për të kryer vrasjen e tij, por për këtë ka një urrejtje të madhe ndaj tij në mesin e mbështetësve të UÇK-së.

Në film, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, e ka akuzuar Martin si mercenar serb dhe i pyetur nëse ka vrarë shumë njerëz, ai është përgjigjur: “më pak se sa duhej”.

Po ashtu, deklarata ka bërë edhe një veteran tjetër, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, i cili thotë se është i zhgënjyer që një zviceran mund të bëjë diçka të tillë kundër UÇK-së, si dhe që të gjitha informatat i ka marrë nga Serbia.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se raporti i Martit është problematik sepse sipas tij, fokusohet në krimet e supozuara të UÇK-së, me pretendimin se “asnjë luftë nuk ka qenë më humane se ajo e UÇK-së”.

Dokumentari na kujton edhe se Kryeministri shqiptar Edi Rama sulmoi Martin në OKB dhe në vende të tjera, duke thënë se raporti është i mbushur me të pavërteta, dhe Marti thotë se shqiptarët harrojnë se amerikani ka kryer hetimin dhe arrestimet janë urdhëruar nga një gjykatë e pavarur se ai nuk ka lidhje me të.

“Për kërcënimet me të cilat përballem sot, fajësoj autoritetet shqiptare që më sulmojnë sistematikisht, prandaj njerëzit e radikalizuar më shohin si shënjestër”, tha Marti.

Andreas Gros, një ish-anëtar i Këshillit të Evropës, kritikoi Zvicrën se nuk u angazhua me Martin, duke thënë se as amerikanët dhe as francezët nuk do të lejonin kërcënime ndaj qytetarëve të tyre nga një vend tjetër.