Mijaçiq: As regjistruesit dhe as qytetarët që kanë pësuar dëme nga lufta nuk mund të përcaktojnë shumën e tyre
Koordinatori i Grupit Punues të Konventës Kombëtare të BE-së për kapitullin 35, Dragisha Mijaçiq, thotë se as regjistruesit dhe as qytetarët në Kosovë që kanë pësuar dëme gjatë periudhës së luftës nuk mund të përcaktojnë shumën e atij dëmi, prandaj shtrohet pyetja se sa të dobishme do të jenë të dhënat statistikore që do të mblidhen në kuadër të regjistrimit të popullsisë.
“Regjistrimi i popullsisë që po bëhet aktualisht në Kosovë përmban elemente vërtet të çuditshme për një mbledhje të tillë statistikore, sidomos kur bëhet fjalë për dëmet materiale të shkaktuara gjatë shkatërrimit të luftës. Kur bëhet fjalë për mbledhjen e të dhënave të tjera – për humbjen e jetëve njerëzore, është mirë që janë të listuara përmes këtij mekanizmi, por kur bëhet fjalë për dëmtime, është vërtet kontrovers”, thotë Mijaçiq.
Sipas tij, qëllimi i mbledhjes së këtyre të dhënave është që ato të përdoren në disa negociata politike dhe për presion në procesin e dialogut me Beogradin.
“Megjithatë, besueshmëria e të dhënave të tilla është e diskutueshme, sepse kush mund ta vlerësojë dëmin në euro kur ato ishin marka gjermane, dhe sigurisht që është e nevojshme të peshohen këto shuma në raport me inflacionin. Është thjesht e pamundur të përcaktohet sasia e dëmeve të luftës në këtë mënyrë dhe as regjistrimi nuk është instrument për këtë. Kjo është thjesht një lojë politike që synohet të përdoret më tej në dialog, por besoj se nuk do të ketë ndikim të madh në procesin aktual të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thotë Mijaçiq.
0 komentet