Milivojeviq: Hartimi i statutit të BKS-tentativë për abuzim politik të Marrëveshjes së Brukselit
Ish diplomati Zoran Milivojeviq ka thënë se fondacioni gjerman "Fridrih Ebert" nuk ka asnjë bazë për të hartuar statutin e BKS duke shtuar se kjo mund të trajtohet si një përpjekje për të mos zbatuar në formën origjinale Marrëveshjen e Brukselit.
Për Kosovo Onlajn, Milivojeviq ka theksuar se hartimi i statutit të BKS nga ana e fondacionit gjerman "Fridrih Ebert" shihet si një tentativë për të abuzuar politikisht me Marrëveshjen e Brukselit dhe Bashkësinë e Komunave Sërbe.
"Nuk ka bazë për përfshirjen e fondacionit “Friedrich Ebert” apo ndonjë organizate tjetër joqeveritare në hartimin e statutit të Bashkësisë së Komunave Sërbe. Kjo është përgjegjësi e Këshillit Drejtues dhe nuk ka asnjë lidhje me palë të treta. Kësisoj kjo mund të interpretohet vetëm si një përpjekje për të keqpërdorur politikisht Marrëveshjen e Brukselit" ka thënë Milivojeviq.
Siç tha ai, autoriteti për hartimin e statutit është i përcaktuar qartë dhe mund të hartohet vetëm sipas Marrëveshjes bazike të Brukselit.
Milivojeviq beson se organizatat joqeveritare po merren me këtë çështje pa autorizim.
“Nuk mund të trajtohet ndryshe veçse si tentativë për të mos zbatuar Marrëveshjen e Brukselit në formën e saj origjinale, sepse BKS është e përcaktuar qartë me marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe e shtjelluar në marrëveshjen e 2015 çka duhet respektuar. Gjithçka tjetër është e panevojshme dhe nëse ka motive politike apo të tjera, atëherë mund të trajtohet si një përpjekje për të penguar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit", ka shtuar Milivojeviq.
Sipas tij, pavarësisht se bëhet fjalë për një organizatë joiqeveritare e lidhur me socialdemokratët, hartimi i statutit të BKS mund të ketë lidhje edhe me interesat e Gjermanisë ku siç thekson ai, i ofron mbështetje Prishtinës.
"Siç po bëhet e ditur OJQ-ja e lidhur me Gjermaninë dhe me socialdemokratët të cilët sot janë në qeveri, në një farë mënyre mund të lidhet me interesat e Gjermanisë përmes kësaj OJQ-je e përfshirë në hartimin e statutit dhe kjo konfirmon atë çfarë kemi mësuar më herët që pala gjermane po i jep mbështetje palës kosovare përfshirë edhe qëndrimet e kësaj të fundit për pranimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit", përfundon Milivojeviq.
0 komentet