Millenkoviq: Nuk është e mundshme që kryetari i kuvendit të zgjidhet më 15 prill, qeveria në mandat teknik do të zgjasë
Marko Millenkoviq nga OJQ “Iniciativa e Re Shoqërore” thotë se në Kosovë aktualisht ekziston një vakum politik dhe juridik, pasi që qeveria duhet të japë dorëheqje para parlamentit, por legjislatura e re e kuvendit që do ta verifikonte një dorëheqje të tillë ende nuk është konstituuar, për çka ai vlerëson se qeveria në mandat teknik ka gjasa të zgjasë.
Edhe pse seanca konstituive e parlamentit është caktuar për 15 prill, Millenkoviq thekson se nuk është e mundshme që kryetari i kuvendit të zgjidhet dhe se është e mundur që pason edhe më shumë pasiguri.
„Kryetari i kuvendit do të duhej të propozohej nga Vetëvendosje dhe të votohej nga shumica e deputetëve, gjë që për momentin nuk e shoh si të mundshme, por ndoshta ndryshon në periudhën e ardhshme. Nga ana tjetër, opozita nuk është në gjendje të propozojë dhe të zgjedhë kryetarin e Kuvendit, prandaj ndodhemi në një situatë vërtet të çuditshme. Ekziston një vakum juridik, ndërsa Ligji për qeverinë e komplikon edhe më shumë situatën. Kemi kontradikta – nga njëra anë thuhet që dorëheqjet duhet të verifikohen nga Kuvendi, ndërsa nga ana tjetër e ligjit dhe Kushtetutës thuhet që kur anëtarët e qeverisë bëhen deputetë, e humbasin të drejtën për të qenë anëtarë të qeverisë“, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Sipas tij, ekzistojnë dy mënyra për ta zgjidhur këtë situatë: njëra është që të arrihet një kompromis politik mes Vetëvendosjes dhe disa partive opozitare, ose që partitë opozitare apo aktorë të tjerë politikë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojnë mendim dhe udhëzime për tejkalimin e kësaj situate.
Ai kujton se ka pasur vakum ligjor edhe më parë dhe se nga zgjedhjet në zgjedhje mësohet diçka e re për problemet dhe mangësitë ligjore.
"Konfirmimi i rezultateve zgjedhore zgjati shumë dhe i gjithë procesi është ende në vazhdim dhe nuk e dimë se kur do të përfundojë, gjë që na shtyn të mendojmë se si janë shkruar këto ligje, cili është thelbi? Sigurisht që duhet të punohet për ndryshimin e tyre, përkatësisht harmonizimin", thekson Millenkoviq.
Në të njëjtën kohë, ai vlerëson se situata aktuale deri diku i shkon për shtat edhe qeverisë edhe opozitës, por se do t'i përshtatet para së gjithash Albin Kurtit, duke qenë se do të blejë kohë shtesë për të tentuar të formojë qeverinë e re dhe të përmirësojë pozicionin e tij në atë drejtim.
“Albin Kurti duket se po i shfrytëzon këto vakum ligjor për të zgjatur mandatin e tij, nëse nuk arrin të formojë qeverinë e re, mendoj se ka mundësi që në vjeshtë zgjedhjet të kombinohen dhe të kemi zgjedhje të reja parlamentare përveç atyre lokale, të cilat për mendimin tim do ta ndihmonin Vetëvendosjen në përpjekjen e saj për të arritur një rezultat më të mire, duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale janë një mekanizëm që ju mundëson të punoni shtesë në terren dhe të përpiqeni të arrini një rezultat më të mirë”, thotë Millenkoviq.
0 komentet