Ministria e Mbrojtjes e Serbisë: Takimi trilateral i Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës shkelje e rëndë e Rezolutës 1244
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë e ka dënuar në mënyrën më të ashpër takimin trilateral të përfaqësuesve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, i cili, siç thuhet, ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ushtarak, përfshirë plane dhe aktivitete konkrete me karakter sigurie.
Siç theksohet në njoftim, një veprim i tillë përbën injorim të hapur dhe shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës.
“Kosova dhe Metohia është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë, nën administrim të përkohshëm të OKB-së, ndërsa KFOR-i është formacioni i vetëm i armatosur legjitim në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me mandat të përcaktuar qartë”, theksohet në njoftim.
Nga ministria bëhet e ditur se përpjekjet që përmes aranzhimeve ushtarake rajonale të institucionalizohen dhe fuqizohen më tej Forcat e Sigurisë së Kosovës paraqesin goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit juridik ndërkombëtar dhe kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Këto veprime kanë potencial të prodhojnë pasoja afatgjata sigurie dhe të destabilizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Republika e Serbisë e sheh këtë aleancë ushtarake si faktor presioni dhe sfidë sigurie për Serbinë dhe për popullin serb në Kosovë dhe Metohi. Shteti ynë mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes, por njëkohësisht dërgon mesazh të qartë se nuk do të lejojë cenimin e interesave të tij jetike kombëtare dhe të mbrojtjes”, përfundon njoftimi.
0 komentet