Nedos: Athina dëshiron marrëdhënie të mira me Prishtinën, por njohja nuk është në tavolinë
Komentatori i politikës së jashtme nga Athina, Vasilis Nedos, beson se misioni special i Kosovës në Greqi do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve, por nuk beson se në këtë moment mund të ketë ndonjë hap të rëndësishëm si njohja zyrtare.
Nedos thekson se vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në Athinë, përfshirë kryeministrin dhe ministrja e Punëve të Jashtme, janë bërë dukuri e rregullt gjatë vitit të kaluar, por se ka një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm zyrtar të Greqisë për Kosovën.
“Kryeministri i Kosovës ka qenë këtu disa herë gjatë vitit të kaluar. Kemi pasur edhe vizita nga Ministrja e Jashtëm, ndaj do të thoja se nuk është e pazakontë të ketë shkëmbime të tilla. Ekziston një qëndrim i qartë dhe i qëndrueshëm zyrtar i Greqisë se ne duam normalizimin e lidhjeve mes komuniteteve, si dhe lidhjet kulturore me Kosovën. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim misionin e KFOR-it, ushtria greke është e pranishme në Kosovë, ndërsa zyra e Kosovës është hapur në Athinë para disa vitesh në nivel bilateral. Mirëpo, nuk besoj se nga kjo do të ketë ndonjë lëvizje domethënëse, si njohja zyrtare, të paktën jo në këtë moment”, beson bashkëbiseduesi ynë.
Ai thekson se Greqia është pjesë e Ballkanit dhe se ka “probleme me fqinjët e saj”, veçanërisht me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Shqipërinë. Prandaj, thotë ai, është gjithmonë e dobishme të jesh në kontakt me fqinjët.
Sa i përket vetë misionit special, Nedos beson se Prishtina pret një shkëmbim më të rregullt të pikëpamjeve dhe takime në Athinë për t'i bindur se njohja e Kosovës nuk do të krijonte probleme në lidhje me çështje të tjera të politikës së jashtme greke.
“Megjithatë, nuk mendoj se ky është një hap drejt njohjes, njohja zyrtare e Kosovës do të kërkonte një rrjedhë tjetër të ngjarjeve. Natyrisht, ne e dimë që kjo kërkesë nga Prishtina është gjithmonë në tavolinë, por nuk mendoj se atmosfera këtu në Athinë është e pjekur për një hap të tillë përpara në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Kosovës”, thekson ai.
Së fundi, ai thekson rëndësinë e Greqisë si një pjesëmarrëse aktive në stabilitetin rajonal, veçanërisht përmes përfshirjes së saj në misionet e KFOR-it.
“Greqia është vendi më i vjetër i NATO-s dhe Bashkimit Evropian në rajon, kështu që është krejt normale dhe e pritshme që qeveria në Prishtinë dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira dhe të ngushta në planifikimin e politikës së jashtme”, thotë analisti nga Athina.
0 komentet