Nemec: Heqja e vizave për serbët nga Kosova nuk është çështje politike, ka vullnet në PE për ta zgjidhur shpejt
Çështja e liberalizimit të vizave për serbët nga Kosova duhet të zgjidhet shpejt sepse na presin zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe po na mbaron koha, thotë Matjazh Nemec, raportuesi i sapoemëruar i PE për heqjen e vizave për serbët nga Kosova, në një intervistë për Kosovo online.
Ai thekson se ka një vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjes dhe shton se do të përpiqen të sigurojnë shumicën në PE.
Nemec vlerëson se ka një vullnet të madh në mesin e grupeve politike në PE për të zgjidhur çështjen e liberalizimit të vizave për serbët me pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese.
“Duket se kjo çështje do të zgjidhet shpejt, sepse po na mbaron koha. Kemi zgjedhje më 9 qershor dhe ka vullnet kur vjen puna tek Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian që më 8 prill të miratohet ky propozim. Unë jam i bindur për këtë, por në të njëjtën kohë varet nga grupet e tjera në PE dhe nga pozicioni i atyre grupeve në PE, por duket se ka një vullnet të madh për të përfituar nga kjo situatë, sepse kemi një periudhë të shkurtër kohore për të arritur një marrëveshje. Kjo është ambicia jonë, por do të shohim se cilat do të jenë hapat e ardhshëm në PE”, thotë Nemec.
Raporti fillimisht duhet të diskutohet brenda në Parlamentin Evropian më 12 mars, afati i fundit për paraqitjen e amendamenteve është 15 mars, ndërsa Komisioni i PE për liritë civile, drejtësinë dhe çështjet e Brendshme do të votojë më 8 Prill.
“Kemi marrë mbështetjen e të gjitha grupeve për ta bërë këtë në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër dhe me shpejtësi të madhe, në mënyrë që të miratojmë propozimin në seancën e fundit të prillit. Shpresoj që në fund të prillit të marrim mbështetjen e nevojshme në Strasburg”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Nemec shprehet se nuk e di saktësisht se sa persona kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese.
"Ne nuk kemi nevojë të kemi numrin e saktë të pasaportave, sepse shumë qytetarë të kombësisë serbe të Kosovës kanë shfrytëzuar mundësinë për të ndryshuar adresat e tyre personale në Serbi. Nuk e dimë saktësisht se sa janë dhe sa njerëz do të të preken nga ky vendim”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Qeveria e Kosovës në disa raste ka kundërshtuar publikisht mundësinë e përmendur të liberalizimit të vizave për serbët me pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese.
“Nuk është një nga temat e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës dhe nuk përmendet, por do të kemi mundësinë të bisedojmë me autoritetet në Kosovë dhe Serbi dhe do të donim t'i bindim se duhet ta zgjidhim këtë situatë që diskriminon një përqindje të rëndësishme të qytetarëve të Kosovës. Një mesazh i rëndësishëm do të ishte që askush nuk mund të lihet jashtë, sepse një grup i vogël qytetarësh mund të diskriminohen dhe nuk do të kenë mundësi të gëzojnë të njëjtat të drejta si qytetarët e tjerë që vijnë nga pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë Nemec.
Raportuesi i sapoemëruar i Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për serbët nga Kosova thekson se heqja e vizave nuk duhet të jetë çështje politike.
“Askush, por askush nga autoritetet, në Prishtinë apo Beograd nuk duhet ta përdorë këtë temë për qëllime politike. Në radhë të parë po flasim për të drejtat e njeriut të një grupi të rëndësishëm njerëzish që mund të diskriminohen dhe ende diskriminohen. Kjo është ndihmë për një grup të vogël qytetarësh, sepse duhet të kemi parasysh që nga 1 janari asnjë grup tjetër njerëzish nga Ballkani Perëndimor nuk është diskriminuar për shkak të situatës së liberalizimit të vizave. Përjashtim bëjnë serbët nga Kosova, por ne dëshirojmë të shmangim diskriminimin e kujtdo në rajon”.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse zyrtarët e qeverisë së Kosovës vazhdojnë të kundërshtojnë heqjen e vizave për serbët e Kosovës, Nemec thotë si vijon.
“Dialogu në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ende duke vazhduar. Kjo nuk është një temë që është pjesë e dialogut dhe shpresoj se askush nuk do ta shohë këtë si një mundësi për t'i bërë ato bisedime edhe më të vështira. Marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut do të arrihet në të ardhmen, prandaj kjo është vetëm e përkohshme dhe të gjithë duhet ta shohin si ndihmë nga Parlamenti Evropian dhe institucionet evropiane.
Në lidhje me atë nëse të gjitha grupet parlamentare e mbështesin këtë iniciativë, Nemec thekson se nuk mund të merrni 100 për qind mbështetje për asnjë temë në Parlamentin Evropian, por se do të përpiqen të marrin shumicën.
“Është e vështirë të thuhet. Nuk mund të gjejmë mbështetje 100 për qind për asnjë temë, por do të përpiqemi të marrim një shumicë nga të gjitha grupet politike në PE. Ka një vullnet të madh për ta zgjidhur këtë çështje, por varet edhe nga dialogu mes opsioneve të ndryshme politike në Parlamentin Evropian”, thotë Nemec.
0 komentet