Odalloviq: Ligji për të huajt lojë perfide e Kurtit dhe goditje ndaj institucioneve serbe
Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, theksoi se Albin Kurti me riemërtimin e Ligjit për të Huajt ka nisur në mënyrë agresive ta përfundojë atë që ka filluar dhe se, me synimin për të vënë nën kontroll shëndetësinë dhe arsimin, po e bën të pakuptimtë formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Odalloviq, për Tanjug TV, tha se për zbatimin e ligjit të vitit 2013 ishte e domosdoshme të themelohej Bashkësia e Komunave Serbe, që është obligim i Prishtinës dhe i bashkësisë ndërkombëtare, si institucion që do të merrej me mbrojtjen e të drejtave kolektive.
Ai kujtoi se në të drejtat kolektive kyçe janë shëndetësia dhe arsimi, të cilat tani janë në shënjestër, pasi nuk është formuar BKS.
“Me atë që po bën, Kurti dëshiron ta bëjë të pakuptimtë BKS-në, nëse një ditë ajo themelohet. Bashkimi Evropian është më përgjegjësi për këtë që po ndodh, sepse është garant i BKS-së. Por, duket qartë se kemi problem që në botë nuk respektohet më asnjë dokument. Shumë prej tyre janë miratuar për të mashtruar dikë, ndërsa ne jemi mashtruar disa herë, si me Rezolutën 1244, ashtu edhe me Marrëveshjen e Brukselit”, tha Odalloviq.
Ai theksoi se “nën rrogoz” po imponohen zgjidhje të hartuara me qëllim të realizimit të “rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës”.
Sipas tij, kjo është faza e fundit e “rrumbullakimit të kuazi-shtetësisë administrative”.
Odalloviq shtoi se Kurti ka zhvendosur shumë kompetenca nga niveli lokal në atë qendror, si pjesë e përpjekjes që të gjithë të hyjnë në sistemin e Prishtinës me letërnjoftime të saj.
“Unë nuk kam lindur në Republikën e Kosovës, edhe pse kam lindur në Kosovë dhe Metohi, dhe nëse dua të jetoj atje, do të duhet të shkoj në sportelin e institucioneve të tyre dhe të kërkoj letërnjoftimin e tyre që të mund të ushtroj të drejtat e mia. Këtu bëhet fjalë për një lojë perfide, në koordinim të plotë me qendrat evropiane, që është goditja e fundit ndaj institucioneve”, theksoi Odalloviq.
Sipas tij, pas kësaj fshihet integrimi i shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës.
Sa i përket aleancës ushtarake të Prishtinës, Zagrebit dhe Tiranës, Odalloviq tha se hera e fundit kur është parë një koalicion i tillë ka qenë në kohën e Rajhut të Tretë fashist.
Ai kujtoi se në Kroaci ende nuk është zgjidhur fati i qindra serbëve të zhdukur, se në territorin e Shqipërisë ka qenë “shtëpia e verdhë”, si dhe kampet për trajnim të UÇK-së.
Gjithashtu, ai tha se nuk duhet harruar që Edi Rama ishte ministër në qeveri në kohën e ngritjes së “shtëpisë së verdhë”.
Odalloviq deklaroi se me një vendim gjyqësor kundër udhëheqësve të UÇK-së do të rrëzohej miti për të dhe se për këtë arsye shqiptarët “ngrihen” dhe miratohen rezoluta të ndryshme.
“Me këtë rrëzohet miti për UÇK-në, sepse një vendim gjyqësor do të tregonte se ajo ka qenë organizatë që ka kryer krime”, tha ai.
Ai vuri në dukje se në asnjë dokument ndërkombëtar nuk ekziston “ushtria e Kosovës”, por se askush nuk e pengon atë.
“Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ende në fuqi dhe sipas saj nuk ka shtet të vetëshpallur të Kosovës. Nuk është rastësi që Kurti po ushtron presion në botë që ta detyrojë Serbinë të nënshkruajë marrëveshje që do të konfirmonin njohjen, sepse nëse Beogradi do ta njihte, kjo do të mundësonte njohje të tjera. Nuk e kanë përfunduar punën përderisa Serbia nuk e njeh”, tha Odalloviq.
Duke folur për formimin e qeverisë në Kosovë, ai tha se Kurti ka emëruar ministër një person që nuk mund të ishte nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, me çka në pushtetin ekzekutiv që drejtohet nga Kurti ka kontroll të plotë, ndërsa serbët nuk kanë përfaqësues.
Ai tha se Nenad Rashiq ka pasur mundësinë të dëshmojë si ministër se punon për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb, të cilat janë të rrezikuara, por se nuk e ka bërë këtë.
“Nën mandatin e tij asnjë serb nuk është kthyer në Kosovë”, përfundoi Odalloviq.
0 komentet