Patriarku Porfirije u shkroi Putinit, Trumpit dhe liderëve botërorë: Mos lejoni që populli ortodoks serb të dëbohet nga Kosova

patrijarh_porfirije_u_peckoj_patrijarsiji_6
Burim: Kosovo Online

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, u ka dërguar sot një letër Papa Leos XIV dhe liderëve botërorë duke i ftuar që të përdorin autoritetin e tyre në mënyrë që autoritetet në Prishtinë të ndalojnë zbatimin e ligjit për të huajt, që sipas tij është tejet diskriminues, njoftoi Kisha Ortodokse Serbe (KOS).

Patriarku ua ka dërguar letrën presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin, presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, presidentit të Francës Emmanuel Macron; kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe kancelarit të Gjermanisë Friedrich Merz; si dhe sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dhe drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s Khaled El Enany.

“Patriarku Porfirije paralajmëron se me zbatimin e këtij ligji nuk do të vihej në pikëpyetje vetëm funksionimi i Universitetit në Mitrovicën e Kosovës, i shkollave fillore dhe të mesme që nxënësit serbë ndjekin sipas programeve të shtetit të tyre, si dhe funksionimi i të gjithë sistemit shëndetësor ku trajtohen serbët nga Kosova dhe Metohia, por edhe vetë mbijetesa e popullit serb dhe e faltoreve ortodokse”, thuhet në njoftimin e KOS-it.

Shtohet se me zbatimin e këtij ligji serbët do të humbnin mundësinë për t’u shkolluar dhe për t’u trajtuar mjekësisht, ndërsa të punësuarit në arsim dhe shëndetësi do të humbnin vendet e tyre të punës, gjë që do të çonte në një largim edhe më masiv, nëse jo përfundimtar, të serbëve ortodoksë nga kjo tokë shumë shekullore të krishterë, ku edhe sot ekzistojnë rreth 1.300 kisha ortodokse, manastire dhe faltore të tjera të krishtera, disa prej të cilave janë shkatërruar më herët.

“Patriarku u ka kujtuar liderëve botërorë se askund tjetër në Evropë, pavarësisht shkatërrimeve të përmendura më parë, nuk ekziston në një vend i vetëm një përqendrim kaq i madh i faltoreve të krishtera, prej të cilave katër janë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në rrezik. Patriarku Porfirije thekson se Kisha Ortodokse Serbe këmbëngul në kërkimin e një zgjidhjeje paqësore dhe se nga autoritetet serbe pret që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Jetët njerëzore janë faltorja më e madhe dhe ne jemi të detyruar t’i mbrojmë ato”, janë fjalët e udhëheqësit shpirtëror të serbëve ortodoksë, përfundon njoftimi.