Pavkoviq: Deri në verë dialogu në nivel teknik, suksesi i Sorensenit do të varet nga mbështetja e vendeve anëtare të BE-së

Miloš Pavković
Burim: Kosovo Online

Millosh Pavkoviq, bashkëpunëtor i Qendrës për Politika Evropiane nga Beogradi, thotë për Kosovo online se pas vizitës së Përfaqësuesit Special të BE-së Peter Sorensen në Beograd dhe Prishtinë, ai nuk pret një raund të ri të dialogut në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh se ka qeveri teknike si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë. Ai supozon se dialogu në muajt e ardhshëm do të zhvillohet në nivel teknik dhe se takimet në nivelin e lartë politik do të presin deri në verë.

“E gjithë kjo, natyrisht, mund të ndryshojë sepse ne shohim se sa shpejt po ndryshojnë gjërat si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, por tani për tani, siç janë gjërat, mendoj se fokusi i Sorensen do të jetë në vendosjen e kontakteve dhe potencialisht vazhdimin e dialogut në nivel teknik, ndërsa takimet e negociatorëve të lartë politikë janë shtyrë për një periudhë të mëvonshme”, tha Pavkoviq.

Ai i interpreton vizitat e para të Sorensenit në Beograd dhe Prishtinë si një lloj vizite studimore dhe si një hyrje me aktorët kryesorë të dialogut dhe mbledhjen e sa më shumë informacioneve nga terreni për gjendjen aktuale të dialogut, në bazë të të cilave ndërmjetësi i BE-së do të planifikojë hapat e ardhshëm.

Tema kyçe me të cilën do të merret përfaqësuesi i ri i BE-së për dialog, siç vlerëson ai, do të jetë Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj i Ohrit, të cilat janë arritur dy vjet më parë dhe zbatimi real i së cilës ende mungon.

“Sa i përket Prishtinës, fokusi para së gjithash është krijimi i Bashksisës së Komunave Serbe, gjegjësisht dërgimi i draft-statutit të BKS-së në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim kushtetues. Kur është fjala për Beogradin, me siguri do të pritet një qasje konstruktive për përfaqësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por ky është padyshim një hap i ndërmarrë nga Prishtina. Aktualisht fokusi më duket është në BKS dhe kthimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Është një temë e nxehtë pa të cilën nuk mund të flasim fare për të gjitha aspektet e tjera të dialogut. Kjo është diçka për të cilën Sorensen do të duhet të punojë me të gjitha palët e përfshira në dialog”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Sa i përket asaj nëse në këtë moment mund të vlerësohet nëse Sorensen do të ketë më shumë fuqi se paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak, për të inkurajuar palët që të marrin pjesë në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, Pavkoviq thotë se funksioni i Sorensenit është në një farë mënyre i forcuar nga fakti se ai është i përqendruar vetëm në një çështje, pra në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa Lajçak merrej edhe me Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

“Ajo që më së shpeshti i është vënë në pah Lajçakut është se ai nuk kishte kapacitetin për të imponuar zbatimin e marrëveshjeve. Nëse kjo do të ndryshojë me Sorensenin është e vështirë të vlerësohet në këtë moment. Sa i suksesshëm do të jetë ai dhe nëse do të arrijë t’u imponojë palëve zbatimin, do të varet kryesisht nga mbështetja që do të ketë nga përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, por ndoshta edhe më e rëndësishme, nga mbështetja individuale e vendeve anëtare të BE-së. Nëse ai merr mbështetjen e shteteve anëtare dhe ato punojnë në sinergji me Sorensenin, atëherë mund të presim një rezultat më të mirë se me Lajçakun. Nëse vazhdon qasja e veçuar e disa shteteve anëtare, atëherë puna e Sorensenit do të bëhet më e vështirë dhe kredibiliteti i tij do të minohet nga vetë shtetet anëtare” thotë Pavkoviq.