Përfituesit e ndihmës sociale në Graçanicë u përpoqën të tërheqin të ardhura nga Serbia: Për shkak të ndalimit të dinarit, jeta është vështirësuar
Para Postës në Graçanicë, sot janë mbledhur qytetarët, në mesin e tyre edhe shfrytëzues të ndihmës sociale, të cilët kanë tentuar t'i tërheqin të ardhurat që u siguron shteti i Serbisë.
Që nga 1. shkurti, kur Banka Qendrore e Kosovës vendosi të ndalojë transaksionet bankare në dinarë, Posta në Graçanicë nuk ka mundur t'u paguajë përdoruesve të saj paratë e paguara nga Serbia.
Pas tentimit për tërheqje të parave, qytetarët e mbledhur theksuan se jeta është vështirësuar shumë për shkak të ndalimit të dinarit.
“Unë e marr rrogën nga buxheti i Serbisë, nuk po ia dalim fare, nuk kemi ku ta tërheqim rrogën, e kam një fëmijë që shkon në shkollë, hamë e pimë atë që kemi, është e vështirë edhe për ilaçet. Ne duhet të blejmë gjithçka, dhe nuk kemi para. Gruaja ime është e sëmurë, duhet të blejmë ilaçe. Jemi tre dhe duhet të jetojmë, është e pabesueshme që nuk mund t'i marrim të ardhurat tona", tha Naser Jashareviq.
“Është situatë e vështirë për ne që i marrim rrogat me dinarë, presim se çfarë do të vendosin. Jeta është e vështirë për ne romët, këtu jemi 10 anëtarë në familje. Deri tani kemi ngritur të ardhurat këtu në Graçanicë, por tani nëse vazhdohet kështu do të duhet të shkojmë në Bujanoc apo Kurshumli”, tha Senad Salijeviq.
Sot para Postës në Graçanicë kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë njoftuar qytetarët se “nuk kanë paralajmëruar tubim”, edhe pse kanë tentuar vetëm t’i tërheqin paratë.
komentet