Radosavleviq: Derisa të kapërcehen pengesat, do të ishte ideale të shtyhej zbatimi i Ligjit për të huajt dhe automjetet
Përfaqësues të shoqërisë civile serbe, ndër të cilët edhe Jovana Radosavleviq nga Iniciativa e Re Shoqërore, paralajmërojnë se zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet në Kosovë, i paralajmëruar për 15 mars, mund ta vështirësojë ndjeshëm jetën e përditshme të qytetarëve të nacionalitetit serb, ndërsa ende nuk ka informacione zyrtare për shtyrjen e mundshme të masave, transmeton Radio KIM.
“Ideale do të ishte që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe për automjetet të shtyhet derisa të gjenden mënyra për të kapërcyer të gjitha pengesat”, thotë Jovana Radosavljeviq nga Iniciativa e Re Shoqërore.
Radosavljeviq thekson se masat e paralajmëruara do të prekin disa kategori të popullsisë serbe, përfshirë ata që jetojnë në Kosovë por nuk kanë dokumente kosovare, si dhe pronarët e targave serbe. Shqetësim të veçantë paraqet zbatimi i ligjit në institucionet arsimore, ku të punësuarit dhe studentët që nuk janë nga Kosova duhet të regjistrojnë qëndrimin e tyre, gjë që mund të sjellë probleme në marrjen e lejeve.
“Kategoria më e madhe janë ata që jetojnë në Kosovë, por nuk kanë dokumente kosovare. Dhe ata, me shumë gjasë, nga 15 marsi do të trajtohen si të huaj dhe kjo do të ndikojë shumë në jetën e tyre. Përveç kësaj, pronarët e targave serbe ose targave të tjera në Kosovë gjithashtu do të trajtohen si të huaj, përkatësisht edhe ato automjete, dhe vihet në pikëpyetje edhe lëvizshmëria e tyre. Dhe në fund, ndoshta çështja më serioze, e cila do të ketë pasoja shumë më të mëdha, është e ardhmja e universitetit dhe e qendrës arsimore…”, thotë Radosavleviq.
Ajo thekson se zbatimi i ligjit, në mënyrën si është paraparë, mund të jetë problematik dhe diskriminues, veçanërisht për shkak të qasjes së kufizuar në dokumente, shëndetësi dhe arsim.
“Ne ende kemi një problem serioz që prek mijëra njerëz, e ai është qasja në dokumente dhe rrjedhimisht edhe qasja në të drejtat themelore. Por po ashtu tani edhe e ardhmja e sistemit arsimor dhe shëndetësor…”, thekson Radosavljeviq, duke shtuar se është e nevojshme që proceset të ndahen për të shmangur pasoja serioze për komunitetin serb në Kosovë.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile serbe në veri të Kosovës nuk morën pjesë në takimin e fundit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, duke theksuar se më herët kishin tentuar të vinin në dukje problemet dhe kishin shprehur gatishmëri për konsultime.
“Ne vendosëm njëzëri, pra këto pesë organizata nga veriu i Kosovës, se nuk do të marrim pjesë në këtë ngjarje… Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht qeveria e Kosovës, nuk i mori parasysh këto kërkesa tona”, thotë Radosavleviq.
Ajo shton se kontaktet e vetme lidhur me këtë temë kanë qenë përmes bashkësisë ndërkombëtare, por informacionet për qytetarët mungojnë, ndërsa grupi i ekspertëve i formuar për zbatimin e ligjit nuk përfshin përfaqësues të komunitetit serb.
“Ajo që dimë është se ekziston një grup i caktuar ekspertësh… Sipas njohurive të mia, aty nuk ka aktorë të tjerë, kështu që mund të themi se është një proces shumë i mbyllur dhe thjesht nuk ka shumë informacione që janë në dispozicion të publikut për këtë çështje, prandaj nuk kam përgjigje për këtë pyetje”, përfundon Radosavleviq.
0 komentet