Rakiq: Po luftojmë për paqe dhe mendje, nuk jam i sigurt se ka mendje në anën e kundërt
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se tensionet në veri të Kosovës janë ende të pranishme mes qytetarëve dhe se për shkak të kompleksitetit të situatës është formuar Shtabi i Krizave për të raportuar për gjendjen në terren.
Rakiqi, i cili mori pjesë në emisionin “Hit Tweet” në TV Pink, tha se në barrikadë në Rudar është e qetë, por edhe po vijnë më shumë qytetarë në barrikadë.
“Pas deklaratave të sotme të Kurtit, ai vetëm ndezi zjarrin dhe frikësoi qytetarët tanë që nuk duan të bien në provokimet e tij. Duam paqe dhe asgjë tjetër, për të shpëtuar familjet tona. Prishtina po bën veprime të ndryshme për të shkaktuar tensione”, tha Rakiq.
Rakiq u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë, por edhe vigjilentë dhe të mos bien në provokime, sepse, siç shtoi ai, qëllimi i Prishtinës është të provokojë reagimin e serbëve për t'i fajësuar ata se janë “faktor shkatërrues dhe përçarës”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të trajtojnë me respekt KFOR-in dhe EULEX-in, pasi prania e tyre është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“I lus qytetarët që të ndihmojnë KFOR-in dhe EULEX-in nëse kanë nevojë për ndihmën tonë. Këtu ekziston frika e madhe se dikush do të shkaktojë incidente dhe pastaj do të na akuzojë. Ne jemi të përkushtuar për paqen dhe këtu po mbrohemi, sepse duam të qëndrojmë këtu, dhe ne po luftojmë për paqen dhe mendjen dhe nuk jam i sigurt se ka mendje në anën e kundërt në Prishtinë ”, tha Rakiq.
0 komentet