Rapajiq: Një mandat i ri për Vetëvendosjen do të ishte blerje kohe, zgjedhjet e reja janë zgjidhja më logjike
Drejtori programor i OJQ-së Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Rapajiq, ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përpara dy opsione të qarta sa i përket formimit të qeverisë – ose t’i japë mandatin ndonjë partie, ose të shpallë zgjedhje të reja.
Lëvizja Vetëvendosje sot njoftoi se Glauk Konjufca do të jetë kandidati i ri për kryeministër, por Rapajiq vlerëson se kjo do të përbënte vetëm shtyrje të vendimit deri në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 9 nëntor.
Rapajiq thekson se opsionet që ka presidentja Osmani janë të përcaktuara qartë dhe se zgjedhjet e reja duken si zgjidhja më logjike.
„Mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja më e arsyeshme. Presidentja ka afat deri më 5 nëntor, ose t’i japë dikujt mandatin, ose të shpallë zgjedhje të reja. Vetëvendosja tani do të përpiqet sërish të formojë qeverinë, gjë që, sipas meje, nuk ka kuptim, sepse nëse nuk patën shumicën më parë me Kurtin si mandatar, nuk besoj se do ta kenë as me dikë tjetër (në këtë rast Konjufcën). Opsioni tjetër është shpallja e zgjedhjeve. Do të presim të shohim çfarë do të ndodhë deri më 5 nëntor,“ theksoi Rapajiq.
Siç shpjegon më tej ai, Lëvizja Vetëvendosje me një mandat të ri për formimin e qeverisë vetëm do të blinte kohë deri në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen më 9 nëntor.
„Kjo do të përfaqësonte vetëm një shtyrje të vendimit deri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, për të mos hyrë në atë raund si humbës, por me mundësinë për të pretenduar se do të formohet qeveria,“ përfundoi ai.
0 komentet