Rapajiq: Referendumi është vetëm humbje kohe, shpallja e zgjedhjeve të reja ishte një zgjidhje më e mire

Aleksandar Rapajić
Burim: Kosovo Online

Lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që më 21 prill të mbahet votimi për zëvendësimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, drejtori i programit të organizatës ACDC nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Rapajiq, ka treguar se ka ende shumë pyetje të hapura lidhur me zbatimin e atij procesi, duke theksuar se ishte shumë më e thjeshtë shpallja e zgjedhjeve të reja në nivel lokal, si për kryetarë komunash ashtu edhe për kuvendet komunale.

Rapajiq ka shprehur shpresën për Kosovo online se referendumi nuk do të pengohet.

“Për 21 prill është propozuar një referendum, por kjo hap shumë pyetje të tjera, ku do të mbahet referendumi, kush do ta mbikëqyrë procesin, kush do ta udhëheqë të gjithë procesin dhe kush do të vëzhgojë. A do të përdoren ndërtesat shtetërore apo jo? Mendoj se ka ende shumë pyetje të hapura. Shpresoj se nuk do të ketë pengesa, edhe pse personalisht mendoj se do të ishte më mirë që në të katër komunat të shpalleshin zgjedhje të reja edhe për kryetarë edhe për kuvende”, tha Rapajiq.

Ai beson se zgjedhjet janë zgjidhje shumë më e mirë se sa qytetarët të shkojnë në referendum, e pastaj në zgjedhje, edhe pse dihet se cilat do të jenë rezultatet e atij referendumi.

I pyetur se çfarë sekuencë ngjarjesh e pret në javët në vijim dhe si është situata me mandatet e këshilltarëve, ai përgjigjet se nuk ka asnjë procedurë për zëvendësimin e këshilltarëve dhe se nuk do të ishte e drejtë që një numër i qytetarëve të kërkonin që të ndërrohen disa këshilltarë.

“Ashtu si me kryetarët e komunave, fakti është se këta kryetarë nuk pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve në katër komunat veriore, prandaj mendoj se zgjidhja më e mirë ishte shpallja e zgjedhjeve të reja lokale për katër komuna në veri për kryetarë dhe këshilltarë”, përsërit Rapajiq.

Ai tregon se për shkak të referendumit do të humbet shumë kohë deri në zgjedhjet lokale dhe se populli është i pakënaqur për shkak se nuk zgjidhet situata në terren.

“Kështu do të humbim kohë, fillimisht një muaj e gjysmë për të organizuar një referendum, pastaj për të shpallur zgjedhje vetëm për kryetarë komunash dhe pastaj do të kemi edhe 45 deri në 60 ditë për të zgjedhur një kryetar. Koha kalon, situata në terren nuk zgjidhet, njerëzit janë gjithnjë e më të pakënaqur dhe kemi të bëjmë me disa detaje ligjore”, ka përfunduar Rapajiq.