Ristuqa: KFOR-i dhe NATO mbështesin dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, vetëm zgjidhjet politike sjellin paqe

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor italian Angjello Mikelle Ristuqa, tha sot se KFOR-i dhe NATO mbështesin plotësisht dialogun nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe se vetëm zgjidhjet politike mund të sjellin paqe dhe stabilitet në rajon, raporton RTV.
“Ngjarjet fatkeqe që ndodhën në veri të Kosovës, veçanërisht ato të 29 majit, treguan se një zgjidhje e tillë politike është e nevojshme”, tha Ristuqa në një konferencë në hotelin Hilton në Beograd.
Ai ka theksuar se për shkak të një sërë ngjarjesh të tilla, të cilat kërcënojnë sigurinë në Kosovë, Kfor është në gjendje të menaxhimit të përhershëm të krizave.
"Sa herë që shpërthen një krizë, nevojiten përpjekje ushtarake dhe diplomatike për të rivendosur një situatë paqësore dhe të balancuar", ka thënë Ristuqa.
Ai shtoi se KFOR-i është misioni më i madh dhe më i gjatë i drejtuar nga NATO që vepron nën mandatin e OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së nga viti 1999, në mënyrë që të garantojë paqen, mbrojtjen dhe një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
0 komentet