Selenica: Për Kurtin ndoshta fitorja e Partisë Demokratike në Shqipëri do të ishte më e dëshirueshme

Kryeredaktori i lajmeve në RTA 1 në Tiranë, Gert Selenica, thotë se fakti se kush do të jetë në pushtet në Shqipëri pas zgjedhjeve parlamentare që mbahen të dielën, padyshim do të ketë ndikim në Kosovë, por thekson se kjo ka më shumë të bëjë me marrëdhëniet personale ndërmjet liderëve, sesa me programet politike.
Për qeverinë e Kosovës me Albin Kurtin si kryeministër, sipas tij, ndoshta fitorja e Partisë Demokratike, pra e opozitës, do të ishte më e dëshirueshme.
„Kam përshtypjen se do të ishte njësoj nëse do ta pyesnim Edi Ramën se fitoren e kujt do ta dëshironte më shumë në Kosovë. Është krijuar përshtypja se në marrëdhëniet e tij personale me z. Kurti ekziston një lloj ‘ftohtësie’. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar aspak në funksionimin institucional, në mbledhjet e përbashkëta të qeverive, parlamenteve dhe në nënshkrimin e marrëveshjeve. Nuk duhet të harrojmë që gjatë qeverisjes së Ramës janë mbajtur disa mbledhje të përbashkëta të dy qeverive, në Shqipëri dhe në Kosovë, ku janë marrë vendime shumë të rëndësishme për qytetarët dhe kryesisht për sipërmarrësit“, thekson Selenica.
Ai thekson se ekziston perceptimi që ish-kryeministri Sali Berisha është më i preferuar në Kosovë sesa Rama, por thekson se kjo është thjesht një perceptim i qytetarëve.
Sa i përket ndihmës së qeverisë shqiptare ndaj Kosovës, ai shpreh bindjen se kryeministri Rama ka bërë mjaft.
„Në çdo takim që ka pasur, edhe brenda Ballkanit Perëndimor, ai ka qenë një avokat i mirë (i çështjes së Kosovës) dhe u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë sa më parë. Gjithashtu, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të afrohen me politikat e BE-së dhe ka kërkuar nga Brukseli që t’i kushtojë vëmendje të veçantë Kosovës dhe hapave që Prishtina duhet të ndërmarrë për t’iu afruar Bashkimit Evropian. Rama e ka bërë këtë si në takimet ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të qeverisë së Kosovës, ashtu edhe në ato ku nuk kanë qenë. Disa herë ka thënë se për Kosovën dhe Shqipërinë do të ishte më e lehtë të jenë dy shtete nën të njëjtin ‘çati’ të BE-së, sesa të bashkohen në një shtet të vetëm. Pra, pavarësisht perceptimit, mendoj se qeveria e Ramës, dhe ai personalisht si kryeministër, ka qenë shumë afër qeverisë së Kosovës dhe procesit të shtetformimit në Kosovë“, thekson Selenica.
Si pjesë e fushatës parazgjedhore në Shqipëri, siç thotë ai, Kosova nuk ishte përfshirë mjaftueshëm në diskutimet politike, sepse fushata me retorikë të tensionuar u përqendrua në marrëdhëniet personale midis udhëheqësve.
“Megjithatë, në takimet e tij elektorale, zoti Berisha premtoi të anulonte ‘Ballkanin e Hapur’. Kosova u përfshi pak në fjalimet dhe deklaratat e zotit Rama, por nuk duhet të harrojmë se kryeministri, në diskutimet e tij rreth anëtarësimit të vendit në BE deri në vitin 2030, theksoi se dëshira e tij e madhe është që Shqipëria ta ketë Kosovën me vete, ta marrë me vete, në mënyrë që Tirana zyrtare të jetë lokomotiva e këtij procesi”, thotë Selenica.
0 komentet