Simiq: Peticioni kundër urave, apel përfaqësuesve ndërkombëtarë që të veprojnë aktivisht
Anëtari i Kryesisë së Listës Sërbe Igor Simiq ka thënë sot se peticioni kundër ndërtimit të dy urave në Ibër paraqet mesazh dhe apel tek përfaqësuesit ndërkombëtarë që më në fund të veprojnë aktivisht për të mbroijtur të gjithë qytetarët në Kosovë dhe se synimi i tij është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në terren, transmeton RTV.
“Qëllimi i peticionit është të tregojë qëndrimin e qartë të popullit sërb kur është fjala për urat e Kurtit në lumin Ibër, që planifikojnë t’i ndërtojnë në periudhën e ardhshme e gjithçka me qëllim që të ushtrojnë presion edhe më, tek populli sërb. Peticioni do t’u dorëzohet përfaqësuesve ndërkombëtarë që merren me paqen dhe sigurinë në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë dhe që kanë mandat, veçanërisht kur bëhet fjalë për urën kryesore mbi Ibër, por edhe përreth ku tani po ndërtohen dy ura të reja, që përfaqësojnë dy pika të reja nevralgjike që potencialisht do të jenë vend konflikti mes sërbëve dhe shqiptarëve”, tha Simiq për Tanjug.
Simiq tha se paqja dhe stabiliteti në terren janë kundër interesave të Albin Kurtit, i cili, sikurse theksoi, bën gjithçka për të eskaluar më tej situatën në terren dhe ushtruar presion mbi popullin sërb.
Kujtoi se në afërsi të urës egzistuese për këmbësorë në Ibër, tashmë egzistojnë tre ura mbi të cilat udhëtojnë automjetet dhe këmbësorët.
“Katër ura në vetëm 400 metra janë tërësisht të mjaftueshme për qytet me këtë madhësi. Kjo është lojë politike e Kurtit, nga njëra anë për të ushtruar presion mbi popullin sërb dhe nga ana tjetër, për nisjen e fushatës për zgjedhjet vendore në Kosovë e Metohi të planifikuara për 12 tetor”, thotë Simiq.
Ky i fundit theksoi se peticioni përcjell mesazh të qartë se askush në asnjë lloj mënyre nuk u konsultua me përfaqësuesit politikë sërb dhe as me popullin sërb, kur vendosën të ndërtonin këto ura.
“Kjo është shuplakë për përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët janë përgjegjës për sigurinë, të cilët deri më sot, për arsye të justifikuara, pamundësojnë rrjedhën normale të trafikut mbi urën kryesore, të vetëdijshëm për situatën në të cilën Kurti dëshiron provokime dhe dëshiron të destabilizojë më tej situatën në terren”, tha Simiq.
Ky i fundit kujtoi se në urën kryesore të qytetit, në afërsi të së cilës Kurti planifikon të ndërtojë dy ura të reja, nga viti 1999 deri më sot, kanë ndodhur më shumë se 900 incidente ndëretnike të formave të ndryshme, të cilat sipas rregullit nisnin nga ana jugore, shqiptare e qytetit.
"Ky është vendi ku u vranë dhe u plagosën dhjetëra e qindra sërbë, të cilët vetëm mbronin pragun e tyre të shtëpisë. Ky është vendi ku ra bashkësia ndërkombëtare, ku sërbët vendosën të qëndrojnë dhe të mbijetojnë, të jetojnë në territorin e Kosovës e Metohisë dhe me vullnetin, luftën dhe sakrificën e të cilëve u ruajt karakteri multietnik në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë, u ruajt i vetmi qytet urban vërtet multietnik, që është pjesa veriore e Mitrovicës së Kosovës" theksoi Simiq.
Ky i fundit shtoi se, bazuar në përvojë të tillë, frika e të gjithë qytetarëve që firmosën peticionin është e justifikuar se hapja e urave të reja, vetëm do të prezantonte mënyrën për të shkaktuar më shumë incidente dhe se sulmet ekstremiste nga jugu në veri sërish do të intensifikoheshin.
Simiq deklaroi se në dy ditët e mëparshme, në shtatë ose tetë orë u mblodhën më shumë se 1,000 firma.
“Në krye të komunës së Mitrovicës Veriore ndodhet kryetari ilegal dhe ilegjitim i cili në zgjedhjet e disa viteve më parë, fitoi disa herë më pak vota sesa qytetarët e mbledhur dhe të nënshkruar në dy ditët e mëparshme. Peticioni do të mund të nënshkruhet nesër para ambienteve të Listës Sërbe në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës, prej orës 8:00 deri në 12:00, dhe pas kësaj do t'u përcillet përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët janë kryesisht përgjegjës për paqen dhe sigurinë”, tha Simiq.
Ky i fundit tha se peticionin nuk do t’ua përcjellë institucioneve të Prishtinës, sepse populli sërb absolutisht nuk u beson këtyre institucioneve dhe nuk i percepton ato si të ligjshme dhe legjitime, veçanërisht duke pasur parasysh gjithçka që i’u bë popullit sërb përmes institucioneve në Prishtinë në periudhën e mëparshme.
"Qytetarët janë të zhgënjyer nga pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm për çështjen e urës, por edhe në çështjen e shumë gjërave të tjera që janë bërë në dëm të popullit sërb-nga ndalimi i dinarit, mbyllja e ambjenteve të cilat funksiononin institucionet sërbe, deri tek pamundësia e jetës normale në këto vise, madje edhe përmes sekuestros së institucioneve kulturore, sportive dhe rinore. Në këtë kuptim, qytetarët po firmosin peticionin për të zgjuar bashkësinë ndërkombëtare nga gjendja e saj inerte, për të treguar përgjigje të qartë se ajo që po bëhet momentalisht në lumin Ibër, nuk është as dëshirë dhe as nevoja e popullsisë shumicë në veri të Kosovës dhe Metohisë, ku jetojnë më shumë se 90% e sërbëve", tha Simiq.
Ky i fundit theksoi se peticioni përfaqëson mesazh dhe apel ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë që më në fund të veprojnë aktivisht dhe të mos dërgojnë njoftime.
“Ne kërkojmë që të ndalen veprimet që kanë për synim margjinalizimin e popullit sërb dhe që paraqesin një pjesë të fushatës së gjerë dhune institucionale që është kryer ndaj popullit tonë, mbi të gjitha në tre vitet e fundit. Qytetarët janë të vendosur të qëndrojnë, por edhe të mbrojnë të drejtën e tyre demokratike për jetë normale në këto vise dhe në këtë kuptim, presim përgjigje adekuate nga përfaqësuesit ndërkombëtarë ndaj këtij apeli që do t’u përcillet atyre”, tha Simiq.
Ai deklaroi se në takimin e sotëm të delegacionit të Listës Sërbe me ndihmës sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Mirosllav Jenç dhe bashkëpunëtorët e misionit të UNMIK, kanë diskutuar të gjitha këto probleme, si dhe problemin e ndërtimit të urave të reja.
Simiq theksoi se Lista Sërbe kërkoi veprime vendimtare nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, por dhe mesazh të qartë nga KB kur diskutohen veprimet që shkelin të drejtat themelore të njeriut të popullit sërb.
"Kërkojmë rol më aktiv të UNMIK ndonëse jemi të vetëdijshëm se si personeli ashtu edhe fondet në dispozicion të tyre po bëhen gjithnjë e më të vogla çdo vit. Presim që ata të forcojnë aktivitetet e tyre", tha Simiq.
Ky i fundit shtoi përfaqësuesit e Listës Sërbe se në këtë moment, gjetën mirëkuptim për qëndrimet e tyre por edhe gatishmërinë e misionit ndërkombëtar të UNMIK dhe KB në përgjithësi për të ndjekur gjithçka që po ndodh në terren në Kosovë.
"Ne nuk presim qëndrim pro-sërb, ne presim qëndrim objektiv rreth problemeve të popullit sërb dhe mendoj se kjo do të jetë tërësisht e mjaftueshme sesi bota të dijë se si jetojnë sërbët në tokën e Europës së shekullin XXI. Besoj se shumë do të turpëroheshin për atë që duhet të kalojnë sërbët, ndërsa ata heshtin", theksoi Simiq.
0 komentet