Simonoviq Bratiq: Çfarë do të bëjë Këshilli i Evropës për mbrojtjen e pelegrinëve serbë?

Beograd_240430_Dunja Simonović Bratić
Burim: Kosovo Online

Anëtarja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dunja Simonoviq Bratiq, sot në seancën e këtij organi ka tërhequr vëmendjen për arrestimin e pelegrinëve serbë në Kosovë dhe theksoi se regjimi në Prishtinë po përpiqet të bëjë një revizion të historisë, të marrë manastiret serbe dhe në fund të krijojë kishën e vet ortodokse.

Simonoviq Bratiq, duke i drejtuar një pyetje Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Majkëll O'Flaerti, tha se dje në Prizren janë arrestuar 16 pelegrinë që kishin ardhur të vizitojnë manastiret dhe vendet e shenjta serbe.

“Kjo është shkelja më e rëndë e të drejtave fetare dhe abuzim i ligjit. Të arrestuarit kanë ardhur të vizitojnë manastiret dhe vendet e shenjta. Regjimi ilegal në Prishtinë po përpiqet të shkruajë një histori të re dhe të marrë manastiret serbe, me qëllim që në fund të krijojë kishën e vet ortodokse. Çfarë do të bëni për mbrojtjen e atyre njerëzve?”, theksoi ajo.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i KE-së theksoi se ka ndërmend të vizitojë Kosovën së shpejti.

Ai theksoi se do të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve, pavarësisht nga feja apo prejardhja, me respekt të plotë për besimin dhe origjinën e tyre.

“Nuk jam i njohur me rastin që paraqitët, i cili ka ndodhur dje. Jam i bindur se mbrojtja e vendeve të shenjta, qofshin ato kisha, xhami apo sinagoga, është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në kontinentin tonë”, theksoi O'Flaerti.