Stano: Emërimi i Rashiqit sipas BE-së është një zhgënjim, nuk është në përputhje me Kushtetutën
Bashkimi Evropian dhe 27 vendetet anëtare i bëjnë thirrje Prishtinës që të respektojë të gjitha hapat
procedurale gjatë emërimit të një ministri që vjen nga komuniteti jo-shumicë dhe se emërimet e
ministrave janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, tha sot zëdhënësi i BE-së për politikë të
jashtme, Peter Stano, raporton N1.
Stano shtoi se emërimi i Nenad Rashiqit sipas BE-së është një zhgënjim, sepse nuk përmbush atë që parashihet me kushtetutë.
“Ne kemi thënë shumë qartë për emërimin e Nenad Rashiqit si ministër, se është me rëndësi jetike që të gjitha emërimet ministrore të jenë në përputhje me kushtetutën e Kosovës. BE-ja dhe 27 vendet anëtare i bëjnë thirrje Kosovës që të respektojë të gjitha hapat procedurale gjatë emërimit i një ministër që vjen nga një komunitet jo-shumicë. Kjo duhet të respektohet”, ka thënë Stano në konferencën për shtyp.
Ai ka thënë se ky emërim është zhgënjim për ta sepse nuk përmbush atë që e kërkon kushtetuta dhe se për këtë duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Respektimi i Kushtetutës është një kërkesë kyçe dhe ne presim që Kosova ta respektojë atë”, ka theksuar Stano.
Ai gjithashtu theksoi se të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së presin sjellje evropiane, qoftë të bëhet fjala për retorikën, veprimin apo zgjidhjen e problemeve.
"Sa i përket Kosovës, ne e komentuam këtë lëvizje dje. Në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, besimi i ndërsjellë është kyçe", tha zëdhënësi i BE-së.
Stano përsëriti se “duhet të kesh sjellje europiane kur ke aspirata europiane dhe kjo do të thotë të përmbahesh nga hapat e njëanshëm, nga hapat që të çojnë në përshkallëzim dhe të kërkosh zgjidhje në mënyrë europiane”.
Stano vlerësoi gjithashtu se situata në fushë është “e brishtë”.
"Ne kemi pasur një përshkallëzim dhe BE-ja u bëri thirrje të dyja palëve që të qetësojnë tensionet pas hapave dhe provokimeve të njëanshme. Situata e sigurisë në terren është e brishtë dhe kjo duhet mbajtur parasysh. Çdo veprim që mund të rrisë tensionet duhet të shmanget. Ju kujtoj ftesën e BE-së dhe 27 vendetet anëtare dërguar të dyja palëve që të punojnë për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione në përputhje me detyrimet e marrëveshjes”, tha zëdhënësi.
Lidhur me samitin në Tiranë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mameri tha sot se ky samiti është shumë i rëndësishëm dhe se presin që të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor të jenë të pranishëm së bashku me liderët e Institucionet e BE-së dhe liderët e shteteve anëtare.
Stano shtoi se ky samit është veçanërisht i rëndësishëm në kushtet e sotme gjeopolitike dhe për rrugën e drejtë në rajon.
Ai gjithashtu theksoi se vizita e përfaqësuesit special Miroslav Lajçak në Beograd dhe Prishtinë, e cila është paralajmëruar për javën e ardhshme, është "vazhdim i bisedimeve të tij të mëparshme javën e kaluar".
“Ai është shpesh në rajon, udhëton sa herë që është e nevojshme për t'u takuar me partnerë dhe kjo vizitë është pjesë e agjendës së tij të punës”, tha Stano, duke iu përgjigjur pyetjes nëse vizita ishte planifikuar më herët.
komentet