Todiq: Nuk është e vërtetë që të shtënat janë qëlluar ndaj Kfor-it, populli i vendosur të luftojë për një të ardhme të sigurt
Ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, ka thënë se nata ka kaluar e qetë në barrikadat në këtë komunë, në Leshko dhe Sllatinë e Ibrit, ndërsa për të shtënat që janë dëgjuar mbrëmë në Zubin Potok, ka thënë se nuk është e vërtetë se u qëllua ndaj misionit të KFOR-it.
"Pas incidentit në territorin e komunës së Zubin Potokut, tensionet u rritën edhe në territorin e komunës së Leposaviqit. Megjithatë, populli është i vendosur të qëndrojë në këtë luftë dhe është i vendosur të luftojë për një të ardhme të sigurt në këto zona", tha Todiq për TV Pink.
Ai ka thënë se edhe pse thuhej se EULEX-i dhe KFOR-i do të dorëzojnë ushqime dhe produkte higjienike për pjesëtarët e Policisë së Kosovës që ndodhen në stacionin në Leposaviq, dy ditë më parë në krye të kolonës ka qenë një veturë e EULEX-it që ka arritur në stacion, por që pas tyre ishin pjesëtarë të njësisë speciale ROSU me arma të gjata.
“Është shqetësuese që në stacionin policor janë futur armë, dmth snajper dhe kjo tregon qartë synimet e qeverisë nga Prishtina. Gjithçka për të cilën kemi paralajmëruar për një kohë të gjatë tani po realizohet”, tha Todiq.
Ai ka theksuar se në këtë moment përcaktimi kyç i shtetit të Serbisë është se nuk do të lejojë dhunë ndaj popullit serb në Kosovë.
"U krijua uniteti, i cili ishte shumë i nevojshëm. Ne nuk kemi çfarë të kërkojmë nga institucionet e Kosovës kur marrim vetëm dhunë dhe armë të gjatë prej tyre. Kësaj radhe nuk ka asnjë koncesion. Për ne, kjo është Serbia, populli nuk dëshiron të jetojë në një Kosovë të pavarur”, tha Todiq.
komentet