Vuçeviq me Bratun për situatën në Kosovë: Prishtina çdo ditë e vështirëson pozitën e serbëve
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka biseduar sot me shefin e misionit të OSBE në Serbi, Jan Bratu, për pozitën e pakicave kombëtare në Serbi dhe situatën aktuale në Kosovë.
Siç thuhet në njoftim, Vuçeviq ka theksuar se Qeveria e Serbisë është veçanërisht e përkushtuar që përmes dialogut t'i zgjidhë në mënyrë adekuate të gjitha sfidat me të cilat mund të ballafaqohen pakicat, duke theksuar përfaqësimin e lartë të minoriteteve në proceset politike dhe demokratike në vendin tonë.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për situatën aktuale në Kosovë dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat nuk kontribuojnë në qetësimin e tensioneve, por përkundrazi, çdo ditë e më shumë e vështirësojnë pozitën e komunitetit serb në provincën jugore serbe.
Vuçeviq e njohu bashkëbiseduesin “me terrorin e regjimit të Kurtit ndaj të cilit në vazhdimësi janë të ekspozuar pjesëtarët e popullit serb”.
Ai shtoi se Serbia do të mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në interes të të gjithë rajonit.
Kryeministri Vuçeviq theksoi se bashkëpunimi me këtë organizatë ndërkombëtare, që nga themelimi i saj në Serbi, është shembull i një marrëdhënieje të mirë partneriteti dhe mbështetjes së madhe në pothuajse të gjitha proceset e rëndësishme reformuese në vend.
Ai falënderoi misionin OEBS në Serbi për bashkëpunimin dhe mbështetjen konstruktive në fushën e forcimit të institucioneve dhe sektorit civil, sundimit të ligjit, forcimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe inkurajimit të dialogut në nivel kombëtar dhe rajonal.
0 komentet