Vuçiq me Lajçakun: Jam i shqetësuar për planin e Kurtit për të dëbuar serbët dhe për të pushtuar veriun me forcë

Vučić i Lajčak
Burim: Instagram

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe i ka përcjellë shqetësimin e tij për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë.

Pas bisedës dy orëshe, Vuçiq ka bërë të ditur në Instagram se Lajçakut ia ka përcjellë shqetësimin e tij lidhur me planin e Kurtit për pushtimin e veriut të Kosovës dhe dëbimin e serbëve.

“Jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në Kosovë dhe planin e Kurtit për të pushtuar veriun e krahinës me forcë dhe për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore. Atë ia kam përcjellë përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak”, tha Vuçiq.