Vullin ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të BIA-s
Aleksandar Vullin ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë, njoftoi BIA, raporton N1.
Në një deklaratë për media, Vullin tha se SHBA dhe BE “po kërkojnë kokën e tij si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë”.
“Unë nuk jam shkaku i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem motiv për shantazh dhe presion ndaj Serbisë dhe botës serbe. Për këtë arsye po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, thuhet në njoftim.
Vullin shtoi se sanksionet e vendosura ndaj tij janë dëshmi e luftës së tij të vazhdueshme për unitetin e serbëve.
“Por vendosja e sanksioneve kundër Serbisë, për të cilat do të përdorej menaxhimi im i mëtejshëm i BIA-s, do të ishte provë e egoizmit tim”, tha Vullin.
Vullin tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Serbia po përballen me kërcënime dhe shantazhe që mund të krahasohen vetëm me ultimatumin austro-hungarez të vitit 1914.
“Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Sërpska dhe të mos jemi vend dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Nëse do të pranonin ta bënin këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, varësia e pakushtëzuar teknologjike dhe ekonomike nga perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në të cilat nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund as për drejtësi sociale”, ka shkruar Vullin.
Siç tha ai, treguesi i parë i korrektësisë së vendimit të tij do të jenë “deklaratat hipokrite të zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së”, në të cilat, shton ai, do të betohen se nuk kanë dashur as të vendosin sanksione ndaj Serbisë.
0 komentet