Zaracin: Prishtina e di se duhet të diskutohet për AKS-në, është e rëndësishme që pala serbe të kthehet në institucione

Manuel Zaracin
Burim: Klan Kosova

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Zaracin, ka deklaruar sot në Bruksel se Prishtina e di se duhet të diskutohet për Asocionin e Komunave Serbe (AKS), transmeton Informer.

"AKS është rënë dakord në vitin 2013 në Marrëveshjen e Brukselit dhe mendoj se është e qartë për Prishtinën se ky diskutim duhet të realizohet", tha Zaracin për Tanjug.

Duke folur për situatën aktuale në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Zaracin, i cili sot mori pjesë në një panel diskutimi në Samitin BE-BP në Bruksel, organizuar nga “Miqtë e Evropës”, theksoi se situata është e tensionuar.

"Ne kemi një situatë shumë të tensionuar në dialog, veçanërisht në lidhje me Mitrovicën e Veriut. Ne dëshirojmë sigurisht që situata të jetë stabile dhe e sigurt. Kjo do të thotë se duhet bërë të gjithë nga të dyja palët, që të jenë fleksibël që të mos vijë deri në përshkallëzimin", tha i dërguari gjerman.

Zaracin, duke folur për përmbajtjen e propozimit të përditësuar evropian të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, dhe që kreu i diplomacisë së BE-së, Giuseppe Boreli, tha të martën në Tiranë se ishte dërguar në Beograd dhe Prishtinë, përsëriti se është e rëndësishme të hiqet dyshime se i kujt është propozimi.

"Është një propozim evropian. Është e qartë që nga fillimi. Ai u prezantua për herë të parë nga Miroslav Lajçaku në emër të BE-së, së bashku me këshilltarët e presidentit (Francës Emmanuel) Macron dhe kancelarit (i Gjermanisë Olaf) Scholz kur ishin në rajon. Nëse dëshironi të keni një pozicion të fortë atje, mund ta keni vetëm nëse është e qartë se është një propozim evropian", thotë Zaracin.

I pyetur se cili është prioriteti tani, a është zgjidhja e situatës institucionale, që nënkupton pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e përkohshme të Prishtinës për të shmangur krizën e sigurisë dhe palët t'i përkushtohen problemeve tjera, Zaracin thotë se "është shumë e rëndësishme që situata aktuale të zgjidhet dhe pala serbe të kthehet në institucione dhe të ofrojë shërbime për qytetarët nga veriu".

Ai ka theksuar se çështja e kthimit të serbëve në institucione, megjithatë, nuk duhet të jetë arsyetim për të ndërprerë dialogun për probleme të tjera.

"Kjo nuk ju pengon të flisni për gjëra të tjera," tha zyrtari gjerman.