Zyra për KeM: Arrestimet për krime të pretenduara lufte janë mbulesë për hakmarrje dhe keqtrajtim të serbëve
Zyra për Kosovë dhe Metohi njoftoi, lidhur me arrestimin e pesë serbëve në fshatin Suhogërllë afër Sërbicës, se arrestimet për krime të pretenduara lufte për Albin Kurtin janë mbulesë për hakmarrje dhe keqtrajtim të serbëve dhe se është e qartë se bëhet fjalë për planin e tij për të futur frikë në atë enklavë serbe. Të arrestuarve, shtojnë ata, do t’u sigurohet ndihmë juridike, ndërsa Zyra për KeM do të njoftojë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë për përndjekjen e re të serbëve dhe do të kërkojë reagim urgjent.
“Në aksionin brutal të të ashtuquajturës polici të Kosovës së Kurtit, këtë mëngjes në fshatin Suhogërllë afër Sërbicës janë ndaluar pesë serbë. Me përdorim force, falangat e Kurtit e bllokuan këtë fshat në mëngjes, rreth orës gjashtë thyen dyert e shtëpive familjare të Nebojsha T, Sinisha T, Predrag T, Goran T. dhe Ratko K, kryen kontroll dhe bastisje dhe para syve të familjeve, bashkëshorteve dhe fëmijëve, ndaluan familjarët serbë, të cilët prej vitesh jetojnë qetësisht në vatrat e tyre, e më pas i dërguan në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për KeM.
Ata theksojnë se familjeve të të ndaluarve u është thënë se dyshohen për krim lufte, megjithëse, siç theksohet në njoftim, është e qartë se bëhet fjalë për planin e Kurtit për të futur frikë në këtë enklavë serbe ku serbët ndërtojnë jetën me familjet e tyre, si dhe për t’i frikësuar banorët dhe për t’i detyruar të largohen.
“Në kohën kur e gjithë bota frikësohet nga konfliktet, Kurti ndërmerr veprime të tilla të menduara dhe të planifikuara kundër serbëve, me qëllim që të destabilizojë më tej situatën në Kosovë dhe Metohi, të shkaktojë kriza të reja dhe tensione në terren”, thekson Zyra për KeM.
Ata shtojnë se arrestimet për krime të pretenduara lufte për Kurtin janë mbulesë për hakmarrje dhe keqtrajtim të serbëve, duke qenë se të gjitha arrestimet për krime të pretenduara lufte kundër serbëve kryhen pa dëshmitarë kredibilë dhe pa prova materiale, por ekskluzivisht si formë presioni dhe mekanizëm për frikësimin e serbëve që të largohen nga fshatrat e tyre.
Në mbështetje të kësaj, sipas tyre, dëshmon edhe fakti se këto ndalime kryhen dekada pas konfliktit, shton Zyra për KeM në njoftim.
Ata theksojnë gjithashtu se të ndaluarve do t’u sigurohet ndihmë juridike, ndërsa Zyra për KeM do të njoftojë të gjithë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë për këtë përndjekje të re të serbëve dhe do të kërkojë angazhimin dhe reagimin e tyre urgjent.
“Këto veprime antiserbe të pushtetit të Kurtit nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet, por përshkallëzojnë më tej situatën në terren dhe ua shkelin serbëve të drejtat themelore të njeriut”, thuhet në njoftimin e Zyrës për KeM.
0 komentet