Besimtarët në Patriarkanën e Pejës: Ardhja e patriarkut madhështore, shpresojmë të jemi gjithnjë e më shumë

Vernici u Pećkoj patrijaršiji
Burim: Kosovo Online

Për besimtarët që sot morën pjesë në liturgjinë e Pashkëve në Patriarkanën e Pejës, ardhja e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe Porfirije përfaqëson një moment madhështor, dhe ata theksojnë se u do të thotë shumë kur kreu i Kishës Ortodokse Serbe është në shtëpinë e tij në Pejë. Në liturgji mori pjesë edhe ndihmësdrejtoresha e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Millena Parlliq, e cila u uroi besimtarëve festën dhe u dëshiroi që ringjallja e Krishtit t’u japë forcë për të qëndruar.

Darko Kolashinac nga Gorazhdevci tha se serbët sot ndjejnë krenari.

“Ringjallja në vetvete do të thotë shpresë e re, ndërsa serbët, veçanërisht në Metohi, që jetojnë në enklava dhe që janë në pakicë, kur u vjen patriarku e përjetojnë si diçka madhështore. Vetë fakti që patriarku është në Pejë, në Patriarkanën e Pejës, në shtëpinë e tij, për ne do të thotë shumë. Që froni i tij është këtu për ne është nder dhe krenari e madhe”, tha Kolashinac.

Millan Srblak shpreson që serbët ta presin patriarkun nga viti në vit në numër gjithnjë e më të madh.

“E shihni edhe vetë si jemi mbledhur bukur këtu për të festuar festën tonë në tokën e shenjtë të Metohisë dhe shpresojmë që çdo vit të jetë më mirë e më bukur dhe të jemi sa më shumë”, tha Srblak.

Senka Petroviq nga Gorazhdevci porositi shkurt: “Që të gjithë njerëzit në botë të jenë të shëndetshëm dhe të lumtur”.

Edhe Millenko Dakiq thotë se prania e patriarkut është gëzim i madh për serbët që jetojnë në Kosovë.

“Jemi pak, çdo ditë gjithnjë e më pak dhe kjo është e trishtueshme, por ç’të bëjmë…”, tha ai.

Zoran Ashanin nga Levosha, vend pranë Patriarkanës së Pejës, thotë se patriarku ka ardhur në shtëpinë e tij.

“Këtu kanë qenë gjithmonë paraardhësit e tij, këtu janë eshtrat e tyre të shenjta. E di që patriarku ynë është i ekspozuar ndaj fyerjeve të rënda, por kështu edhe patriarku ynë i madh i dikurshëm Pavle në Kosovë ishte i përndjekur dhe i keqtrajtuar, prandaj patriarku i tanishëm duhet të ngrihet mbi këto, të durojë gjithçka dhe atëherë do të jetë i madh. Dhe ardhja e tij këtu qoftë gjithmonë e lumtur, si për ne ashtu edhe për të”, tha Ashanin.

Ndihmësdrejtoresha e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Millena Parlliq, e cila mori pjesë në liturgjinë në Patriarkanën e Pejës, u uroi besimtarëve festën, me dëshirën që ringjallja e Krishtit t’i japë popullit forcë për të qëndruar.

“Të mbetemi dritëdhënës dhe bartës të dritës, bartës të besimit – të kësaj drite dhe këtij besimi që dëshmojmë jo vetëm në Patriarkanën e Pejës, por edhe në të gjitha manastiret serbe në Kosovë dhe Metohi”, porositi Parlliq.

Ajo vuri re gëzimin e madh të besimtarëve për ardhjen e patriarkut.

“Në Patriarkanën serbe, në tokën e kryqëzimit, por edhe të ringjalljes, duket se kurrë më fuqishëm nuk dëshmojmë fitoren e jetës mbi vdekjen, sa besimi dhe dashuria janë më të forta se urrejtja dhe sprovat e ndryshme dhe përndjekja. Gëzimin më të madh për popullin e paraqet ardhja e patriarkut që na ka mbledhur dhe që gjithmonë na bashkon me besim dhe dashuri, në unitet, në forcën e vëllazërisë dhe motrimit të Eparkisë së Rashkës dhe Prizrenit, të popullit besnik, të kishës sonë që gjatë shekujve është përndjekur, ka vuajtur, por nëpër të gjithë shekujt edhe është ringjallur”, tha Parlliq.

Patriarku Porfirije pas liturgjisë u tha të pranishmëve se duke besuar në Zot edhe ne ringjallemi me të, dhe duke e dashur atë dimë se duhet t’i duam të gjithë njerëzit – edhe ata që janë pranë nesh, që na kuptojnë, por edhe ata që nuk na kuptojnë, nuk na pranojnë dhe ndonjëherë na refuzojnë.