Nxënëse e gjeneratës Petra Vuçkoviq: Vetëm në paqe mund të jemi fëmijë të lumtur

Milica Vučković
Burim: Kosovo Online

Petra Vuçkoviq, nxënëse e gjeneratës së gjimnazit “Nikolla Teslla”, në tubimin protestues në Leposaviq ka thënë se fëmijët nga veriu i Kosovës kanë vetëm një dëshirë, e ajo është një fëmijëri e qetë.

“Ne kishim vetëm një dëshirë, një dëshirë që e kam theksuar shpesh në fjalimet e mia publike, ajo është fëmijëria në paqe. Fatkeqësisht, fëmijëria jonë u shënua nga tensionet, trazirat, pasiguria, mungesa e lirisë, frika dhe shpresa e përjetshme se gjërat do të përmirësohen një ditë. Dhe kështu, vit pas viti, ne u rritëm si Robinsonët në këtë ishull, ku buzëqeshjet u zëvendësuan me ballë të rrudhur, ku lotët janë të përditshëm, ku takuam shqetësimin në çdo hap”, tha Vuçkoviq.

Në emër të bashkëmoshatarëve të saj dhe siç shtoi, brezave të ardhshëm, përcolli një mesazh nga podiumi.

“Po u them atyre në Prishtinë dhe atyre në Beograd, po u them atyre pas shpine, por edhe juve që qëndroni përballë meje: ndaloni këtë çmenduri, na ktheni gëzimin, lumturinë, dhe më e rëndësishmja, na siguroni atë që na takon të gjithëve, lirinë”, tha Vuçkoviq.


Ajo theksoi se edhe të rinjtë e kuptojnë se kanë nevojë për unitet.

“Por jo unitet sipas masës së individëve, por unitet në dashuri, humanizëm dhe më e rëndësishmja unitet në Zotin, vetëm tek i cili kemi besim”, tha Vuçkoviq.

Vuçkoviq shtoi se të rinjtë nuk e lëshojën zemrën dhe se me guxim i përballojnë të gjitha hallet që u kanë ndodhur, duke ëndërruar për një jetë më të mirë që i pret.

Ajo e përfundoi fjalimin e saj drejtuar qytetarëve me fjalët nga Ungjilli “të jemi të urtë si gjarpërinjtë dhe të padëmshëm si pëllumbat”.

“Bëni çfarë të mundeni për të na siguruar paqen, sepse vetëm në paqe mund të jemi fëmijë të lumtur”, tha Vuçkoviq.