OJQ-të nga veriu i shkruan Avokatit të Popullit dhe UNICEF-it për publikimin e fotografisë së maturantit në konferencën e PK-së

Napad na maturanta
Burim: Kosovo Online

Organizatat e shoqërisë civile i kanë drejtuar një letër institucionit të Avokatit të Popullit dhe UNICEF-it në Kosovë, në të cilën kërkojnë mendimin e tyre ekspert për veprimet e Drejtorit të Policisë së Kosovës dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë në Veri, të cilët më 25 maj gjatë një konference për media publikuan fotografi në të cilat shfaqet maturanti nga Mitrovica e Veriut.

OJQ-të në letrën drejtuar Avokatit të Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, kujtojnë se më 25 maj 2025, në Mitrovicën e Veriut, Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, mbajti një konferencë për media lidhur me një incident ndëretnik që kishte ndodhur më 23 maj në të njëjtin qytet, në të cilin ishte përfshirë një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Sipas deklaratave të publikut, polici në fjalë kishte tejkaluar kompetencat dhe kishte përdorur forcë të tepruar ndaj një të riu nga komuniteti serb.

Theksohet se gjatë konferencës, në përpjekje për të mohuar pretendimet se nxënësi i lënduar kishte gjurmë gjaku në qafë – gjë që vetë nxënësi e kishte sqaruar më herët në deklaratat për media – drejtori Hoxha i ka treguar mediave një fotografi ku i riu shfaqet pjesërisht i zhveshur, e cila, sipas informatave të disponueshme, është bërë gjatë marrjes në pyetje në polici pas incidentit të kontestuar.

Kujtojmë se sjellja e policit është dënuar gjerësisht nga opinioni publik, përfshirë edhe shefin e misionit të EULEX-it, Gjovani Barbano.

„Ne, organizatat e shoqërisë civile të nënshkruara më poshtë, konsiderojmë se ky veprim i policisë është shumëfish i diskutueshëm, veçanërisht nga perspektiva e privatësisë dhe dinjitetit të fëmijëve dhe të rinjve të rritur. Në një komunitet të vogël prej nga vjen i riu, mjegullimi i syve nuk është masë e mjaftueshme për mbrojtjen e identitetit, dhe publikimi i një fotografie të tillë mund të çojë në stigmatizim dhe pasoja afatgjata psikosociale, veçanërisht në moshën e adoleshencës. Për më tepër, publikimi i një fotografie të zhveshur të një të riu para mediave dhe opinionit ngre çështje serioze etike, sidomos kur nuk është e qartë se cili interes legjitim publik mund të justifikojë një veprim të tillë. Së fundi, një sjellje e tillë ndaj individëve për të cilët dyshohet se kanë qenë subjekt i trajtimit të pahijshëm nga ana e policisë, mund t’i dekurajojë persona të tjerë në situata të ngjashme që të raportojnë rastet, dhe dërgon mesazhin se vetë institucioni, duke nisur nga zyrtari më i lartë i tij, mban një qëndrim defanziv ndaj qytetarëve, në vend që të udhëhiqet nga përgjegjësia dhe transparenca", thuhet në letër.

Në këtë kontekst, në letër, organizatat e shoqërisë civile rikujtojnë dispozitat përkatëse të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, disa nga garancitë e së cilës, sipas interpretimit të saj, vlejnë edhe për të rinjtë madhorë:

Neni 3: Në të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me fëmijët, interesi më i mirë i fëmijës duhet të jetë kriteri parësor;

Neni 16: Asnjë fëmijë nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare apo të paligjshme në jetën e tij private, jetën familjare, banesën apo korrespondencën, dhe as sulmeve të paligjshme ndaj nderit dhe reputacionit të tij. Fëmija ka të drejtë të mbrohet me ligj nga ndërhyrje dhe sulme të tilla;

Neni 17(e): Shtetet palë duhet të inkurajojnë mediat që të sigurojnë mbrojtjen e fëmijëve nga informatat dhe materialet që ndikojnë negativisht në mirëqenien e tyre;

Neni 37(a): Asnjë fëmijë nuk duhet t’i nënshtrohet torturës apo trajtimit apo ndëshkimit tjetër mizor, çnjerëzor ose poshtërues.

Ju bëjmë thirrje që, në përputhje me mandatin dhe kompetencat tuaja, ta shqyrtoni këtë rast dhe të jepni mendimin tuaj profesional mbi veprimet e Policisë së Kosovës, në përputhje me standardet ndërkombëtare të përmendura më sipër, si dhe me dispozitat vendore në fuqi.

Nënshkruesit e letrës janë: Iniciativa e Re Shoqërore, Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative, Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike, Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial dhe Aktiv.