Pastrohet varreza ortodokse e qytetit të Gjakovës, numër i madh monumentesh sërish shkatërrohen
Organi vendor kalimtar i Komunës së Gjakovës nën mbështetjen e Zyrës për Kosovë e Metohi, sot ka përfunduar aksionin disaditor të pastrimit të varrezës ortodokse të qytetit në njësinë banuese gjakovare të Piskotit. Gjatë ndërhyrjes, është konstatuar se një numër i madh monumentesh dhe varresh janë dëmtuar ose shkatërruar.
Siç bën të ditur faqja e Fejsbukut "Zavičajno udruženje Đakovčana" varreza e cila ka qenë në gjendje mjeruese, e tejmbushur me bimësi dhe barëra të këqija, u pastrua rrënjësisht.
"Fatkeqësisht, gjatë kësaj ndërhyrjeje ashtu sikurse edhe vitet e mëparshme, vërehet se një numër i madh monumentesh dhe varresh janë dëmtuar apo shkatërruar, gjë që dëshmon për mungesën e të gjitha normave civilizuese në komunitetin vendas shqiptar, pasi Gjakova prej qershorit të 1999, është konsideruar si qytet që banohet vetëm nga një etni. Pas 23 vitesh persekutimi, vetëm një person i kombësisë sërbe (Dragica Gashiq) është kthyer ku vetë ajo ka përjetuar golgotën më të tmerrshme në këtë qytet, privuar nga të gjitha të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare" thuhet në njoftim.
Gjendja e varrezave ortodokse në Gjakovë, ku varreza dhe kisha e Knez Llazarit u rrënuan dhe dogjën në vitin 1999, është ndoshta "ilustrimi më i besueshëm i realitetit të pasluftës në Kosovë e Metohi".
"Kujtojmë se ka varreza shqiptare në zonat ku sërbët përbëjnë shumicën e popullsisë, siç është rasti në pjesën veriore të Mitrovicës, pa asnjë monument apo objekt fetar të dëmtuar apo të rrënuar", thuhet në të.
Autoriteti i Përkohshëm i Komunës së Gjakovës dhe Zyra për Kosovë e Metohi së fundi, po në Gjakovë, kanë pastruar dhe rregulluar varrezat ortodokse në fshatin Donji Petrovac-Ljugbunar, e cila gjithashtu ishte në masë të madhe e përdhosur, me monumente të shkatërruara dhe varre të dëmtuara.
"Apelojmë që të paktën t'i jepet fund luftës kundër të vdekurve, e cila gjenerohet nga politika e qeverisë aktuale të përkohshme të Prishtinës", thuhet në njoftim.
komentet