Surlliq: Përqindje më e vogël për Vetëvendosjen në zgjedhje, por nuk mund të flitet për debaklin e Kurtit

Stefan Surlić
Burim: Kosovo Online

Docenti i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, vlerësoi për Kosovo online se, nëse dalja në zgjedhjet në Kosovë më 7 qershor do të jetë më e ulët, kjo do të nënkuptojë edhe një përqindje më të vogël për Vetëvendosjen, por se nuk mund të flitet për debaklin e kësaj lëvizjeje dhe liderit të saj, Albin Kurti.

Surlliq thotë se hulumtimet tregojnë një përqindje stabile për Vetëvendosjen edhe në këto zgjedhje, por se paralajmërimet e Kurtit për 60 për qind të votave të fituara janë joreale.

„Përveç daljes më të vogël, me gjasë do të kemi edhe një përqindje më të vogël për Vetëvendosjen, por nuk mund të flasim për debakël. Hulumtimet e bëra deri tani tregojnë një përqindje stabile për Vetëvendosjen, por edhe se është joreale ajo që pretendon Albin Kurti se do të ketë 60 për qind në zgjedhje“, tha Surlliq.

Në shpërndarjen e forcave mes partive pas zgjedhjeve do të ndikojnë dy faktorë, konsideron Surliq – hyrja e Vjosa Osmanit në garë dhe bashkësia ndërkombëtare.

„Tani kemi një faktor të ri, hyrjen e Vjosa Osmanit drejtpërdrejt në arenën politike, dhe ajo do të arrijë t’i rikthejë një përqindje Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këtu është edhe faktori ndërkombëtar, mënyra se si do të sillen ata, para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj se kjo do të reflektohet edhe në përcaktimin e votuesve“, tha bashkëbiseduesi ynë.

Gjithsesi, beson Surlliq, nuk duhet nxituar me tezat se Kurti po humb.

„Edhe nëse kalon në opozitë, ai ka krijuar një narrativë të tillë nacionaliste, saqë opozita në masë të madhe do të ndiqte rrugën e tij sa i përket komunitetit serb, gjë që, fatkeqësisht, është dëshpëruese“, deklaroi Surlliq.